Diana Çuli ka shkruar romane, tregime, drama, skenarë filmash artistikë. Disa prej romaneve, tregimeve dhe novelave të Çulit janë botuar në Itali, Francë, Rusi, Kanada, Maqedoni, Bullgari dhe në Kinë, por megjithatë vetë shkrimtarja tha këtë të mërkurë në emisionin “Rudina” në Tv Klan se në krijimtarinë e saj ka edhe libra që mendon se nuk i ka bërë mirë.

Rudina: Janë tërë këto romane Diana Çuli që ke shkruar në jetën tënde, cili është më i veçanti?

Diana Çuli: Po si të them, ka libra që nuk dua t’ju rikthehem dhe nuk dua t’i shikoj. Sepse nuk më duket sikur i kam bërë mirë. Por “Vrasje në Kryeministri” është…unë kam shkruar edhe më përpara thriller, ky ishte një thriller që ishte më serioz se të tjerët dhe u vlerësua.

Rudina: Kjo është edhe kopertina në italisht: “Assassinio nel Palazzo del Governo”.

Diana Çuli: Po është përkthyer nga Elda Katorri, që është një pedagoge e italishtes në Tiranë dhe është vlerësuar edhe përkthimi i saj kështuqë është edhe kontributi i saj në këtë botim.

Sëfundmi Çuli sapo ka botuar librin e saj të parë për fëmijë “Aventurat e Zozos”. Librin ja ka kushtuar mbesës së saj, Dora Casi Sinoimerit.

“Aventurat e Zozos” është një përrallë e bukur që hedh vëmendjen nga teknologjia dhe lidhja që kanë fëmijët me të sot, jo si një kritikë ndaj saj, por se si duhet ta mendojmë atë si një dritare të bukur nga ku fëmijët mund të hedhin sytë për të mësuar ato vende ku nuk mund të jenë dhe dije, të cilat jo gjithmonë është e lehtë të gjinden.

Në dhjetor të vitit që sapo kaloi u nderua me çmimin KULT për romanin më të mirë të vitit 2019 me “Vrasje në kryeministri”./tvklan.al