Shumica komisionerë, lejuan manipulimet në zgjedhjet e 2017-s

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 22 urdhërarreste për Dosjen e famshme 339, që përfshin manipulimin e zgjedhjeve në Durrës, trafikun e drogës dhe abuzimin me pronat, ku janë përshirë disa banda e individë.

Operacioni është zhvilluar gjatë natës së kaluar në Tiranë dhe Durrës. Hetimet që nisën në 2016-ën për laboratorin e heroinës në Brenogë të Hasit zbuluan nga përgjimet edhe përfshirjen e këtij grupi edhe në manipulime gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-s.

Në pranga kanë përfunduar 21 komisionerë të 3 qendrave të votimit në fshatrat Shetël dhe Rubjek të qarkut të Durrësit të cilët kanë lejuar votimin në emër të 62 emigrantëve ose personave të tjerë që figuronin jashtë vendit.

7 janë komisionerë të Partisë Socialiste ndërsa 14 i përkasin opozitës së sotme nga të cilët 8 janë komisionerë të Partisë Demokratike, 3 nga LSI dhe 3 të Partisë Republikane, siç rezulton në këto dokumente të siguruar nga Televizioni Klan.

Duke shfrytëzuar lidhje në Policinë e Shtetit, ata dyshohet se kanë verifikuar në sistemin TIMS personat që ndodheshin jashtë vendit dhe më pas kanë votuar në emër të tyre. I ndaluar është edhe një person që ka votuar disa herë duke u lejuar nga këta komisionerë.

Për 10 nga këta persona gjykata ka vendosur masën “arrest me burg”, 8 janë lënë në “arrest shtëpie”, ndërsa 3 të tjerë janë lënë në “detyrim paraqitje”.

SPAK ka kërkuar vënien në pranga edhe të Fisnik Sadikut (Smaili) i përfshirë në trafikun e drogës që niste nga laboratori i Hasit ku u gjetën 182.5 kilogram heroinë.

Për këtë laborator kanë përfunduar në gjykatë më herët 5 shqiptarë, 2 turq dhe një shtetas kosovar.

Hetimet për këtë dosje nisën në 2016-n, të cilat u finalizuan me operacionin Volvo4 në Tetor të 2018-s kur u prenë 44 fletëarreste duke u goditur 3 grupe kriminale të shtrira nga Hasi në Shijak, Tiranë, Lushnjë dhe Sarandë. 

Tv Klan