Një 28-vjeçar u ekzekutua në një atentat të tipit mafioz mbrëmjen e së martës në zonën e ish-Kinostudios në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:25, kur Mario Majollari po kthehej në këmbë, në rrugicën e lagjes ku banonte.

Ngjarja ndodhi në një moment kur zona ishte mjaft e populluar dhe për këtë arsye autorët dyshohet se kanë përdorur një armë me silenciator, pasi kalimtarët nuk kanë dëgjuar të shtënat. Burime të Tv Klan thanë se autori ka përdorur një pistoletë tip TT.

Pasi qëlluan në drejtim të 28-vjeçarit, autorët u larguan me makinë në drejtim të zonës së Tufinës.

Policia tha se menjëherë pas ngjarjes ngriti pika të shumta kontrrolli në zonë, për të ndaluar autorët e krimit. Të paktën 10 dëshmitarë u shoqëruan në polici për të dhënë sqarime mbi atë që kanë parë.

Mario Majollari kishte vetëm disa ditë që ishte kthyer nga Suedia ku kishte kërkuar edhe azil, por i ishte refuzuar. Ai njihej si një person i qetë dhe jo problematik në lagjen ku banonte.

Burime nga grupi hetimor thanë se pista kryesore ku po punohet është ajo e hakmarrjes. Dyshohet se vrasja ka lidhje me një krim të kryer nga babai i viktimës, Avni Majollari, i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të dyfishtë të kryer në vitin 2000.

Ai është konsideruar fajtor nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e Armando Nelaj dhe Ilir Gjuzit, në rrugën drejt Dajtit. Ky është momenti i arrestimit të Avni Majollarit më 1 Mars 2014. Me vete kishte një pistoletë ndërsa në shtëpi iu gjet një arsenal armësh.

Tv Klan