Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Edhe Elbasani do të ketë një kinema modern. Një bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës me shoqërinë aksionere IDA, që rindërtoj kinema “Republika”, sot “Milenium” dhe Bankës Europiane, u nënshkrua sot marreveshja për miratimin e fondit dhe rindërtimin e plotë të kinemasë së Elbasanit, si dhe vazhdimin e punimeve në kinema “Milenium”.

Kështu fondi prej 14 milion lekësh u nënshkrua nga Roberto Zavata, drejtor i AREF, Fondi i Bankës Europiane për Shqipërinë dhe Alban Xhillari menaxher i kompanisë IDA. Projekti për kinemanë e Elbasanit parashikon rindërtimin e saj të plotë me një multi sallë me 4 ekrane me komoditetet më të fundit teknologjike. Ky bashkëpunim prej disa kohesh ka hapur rrugën për ndërtimin e rindërtimin e kinemave në qytete të tjera, si Durrës, Vlorë, Shkodër.

Një atelie e edukimit artistik do të funksionojë për mësimdhënien e artit figurativ. Nën kujdesin e Galerisë së Arteve dhe Drejtorisë Arsimore në Ministrinë e Arsimit, është krijuar një eksperiencë e re. 70 nxënësit e parë të ndarë në 3 klasa do të ndjekin tani në Galerinë Kombëtare të Arteve leksione nga lektorët e departamentit të studimit të veprave.

Një bashkëpunim ky mes Galerisë së Arteve dhe shkollës 8-vjeçare “Gjon Buzuku” që sjell një ndryshim të rëndësishëm. Një aktivizim i të gjithë pjesmarrësve do të kultivoj edukimin e shprehjes së lirë, të mendimeve për të arritur kuptimin e vërtetë të artit figurativ./tvklan.al