Mbi 10 mijë të shtruar pas infektimit me Covid-19

Spanja ka prekur shifra prej mbi 10 mijë të shtruarish në spitale, të cilët po kurohen pas infektimit me Covid-19. Autoritetet spanjolle thanë se afro 2 mijë persona janë në terapi intensive, ndërsa aktualisht ka mungesë të theksuar të personelit mjekësor për të përballuar fluksin që është edhe më i lartë se vala e parë e periudhës mars-maj.

Një situatë e tillë detyroi autoritetet të vendosin Madridin në karantinë. Infektimet ditore në Spanjë përllogariten mbi 10 mijë, po aq sa edhe Franca dy vendet ku ritmet e përhapjes janë më të lartat në gjithë kontinentin.

Shtetet e Bashkuara prekën shifrën prej mbi 200 mijë viktimash dhe janë aktualisht vendi me më shumë të vdekur nga koronavirusi. Shkencëtarët britanikë japin shpresë për luftën kundër Covid-19.

Ata kanë zbuluar një hapësirë në proteinën e virusit, e cila mund të shërbejë si fole për ilaçet që e luftojnë atë. Ekspertët thonë se kjo mund të jetë një mundësi e mirë për krijimin e një ilaçi efektiv, që megjithatë do të kërkojë disa vite për t’u prodhuar.

Firma e famshme “Johnson & Johnson” bëhet e katërta në Shtetet e Bashkuara që nis fazën e tretë dhe atë përfundimtare të vaksinës anti-Covid. Testet tek njerëzit për këtë vaksinë kanë dhënë rezultate pozitive deri më tani. 

Tv Klan