“BE duhet të marrë masa parandaluese”

OBSH paralajmëron se Evropa rrezikohet nga një valë e tretë e pandemisë në fillim të vitit të ardhshëm, me pasoja të paparashikueshme. Zyrtarët e kësaj organizate thonë se BE duhet të marrë masa parandaluese për të shmangur pasojat e rënda.

Evropa rrezikohet nga një valë e tretë e përhapjes së COVID-19-ës me pasoja të paparashikueshme. Paralajmërimi vjen nga i dërguari special i OBSH-së për koronavirusin David Nabarro, i cili thotë se vala e tretë mund të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Në një intervistë për shtypin zviceran, Nabarro i bën thirrje vendeve evropiane të ndërtojnë gjithë infrastrukturën e nevojshme për përballimin e një valës së tretë që mund të jetë edhe më vdekjeprurëse se dy të parat. Sipas tij, vala e dytë me pasoja edhe më të rënda se e para erdhi pasi qeveritë evropiane nuk morën asnjë masë parandaluese gjatë verës.

Kjo e Hënë shënoi shifra të qëndrueshme të përhapjes së pandemisë në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.

Në dallim nga vende si Italia e Gjermania ku masat janë më të lehta, vende si Franca dhe Austria që po aplikojnë karantinën kombëtare, po tregojnë se vetëm masat e ashpra mund t’a frenojnë përhapjen e COVID-19ës. Në të dy këto vende, infektimet janë reduktuar në mënyrë drastike.

Rusia vijon të shënojë rekorde negative infektimesh ditore, teksa vendi duket të jetë në kulmin e valës së dytë.

Tv Klan