Empoli po vuan mungesën e mbrojtësit Ardjan Ismajli. Futbollisti i Kombëtares Shqiptare të futbollit vazhdon fazën e rekuperimit, ndërsa në ekipin italian është kthyer në problem prapavija.
Trajneri Roberto D’Aversa nuk ka të disponueshëm as mbrojtësin tjetër Matia Viti, dhe i është dashur të improvizojë.
Por humbja e fundit në kampionatin ndaj Udinezes 3-0 vuri në pah dobësinë e repartit.
Ismajli u ndal dy javë më parë, ndërsa kishte qenë titullar i padiskutueshëm. Rekuperimi u komplikua, me toskanët që e prisnin në fushë javën e shkuar.
Por tani besimi është i madh për trajnerin D’Aversa, për të pasur mbrojtësin e kombëtares shqiptare për sfidën e 25 Shkurtit, Empoli-Atalanta, raporton “Quotidiano sportivo”.
Ismajli është aktivizuar në 23 nga 25 takime në Serie A, të gjitha si titullar.
D’Aversa e kërkon me patjetër 28-vjeçarin, ndërsa Empoli nuk fiton prej 10 takimesh, me suksesin e fundit më 8 Dhjetor kundër Veronës.
Gjendja e tij ndiqet me vëmendje edhe nga trajneri kuqezi Silvinjo, që ka nevojë për Ismajlin me sfidat kualifikuese të Botërorit 2026 që po afrojnë.
Klan News