Paralajmërimi pas dështimit të bisedimeve në Moskë

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan paralajmëron se Turqia është gati të nisë luftën me rebelët libianë. Paralajmërimin, kreu i shtetit turk e bëri para parlamentit në Ankara, teksa bisedimet e armëpushimit në Moskë mes qeverisë së njohur ndërkombëtarisht dhe rebelëve, dështuan këtë të martë.

“Nëse puçisti Haftar sulmon popullin dhe qeverinë libiane, ne nuk do të hezitojmë t’u japim atyre një leksion”.

Komandanti i militantëve rebelë Kalifa Haftar la takimin e ndërmjetësuar nga kryediplomatët e Rusisë dhe Turqisë në Moskë, pa nënshkruar marrëveshjen e armëpushimit me kryeministrin Fajez Serrazh.

Burime nga takimi thanë për mediat se Haftar kishte kërkuar largimin e trupave turke nga Libia që kanë hyrë në fillim të këtij viti, me kërkesë të kryeministrit Serrazh. Por kërkesa e tij u refuzua nga palët. Ndërsa mediat italiane shkruajnë se Haftar u tërhoq për t’u këshilluar me vendet aleate të tij në Lindjen e Mesme për pikat e marrëveshjes.

Prej disa muajsh, militantët rebelë të përkrahur edhe nga Moska, mbajnë të rrethuar Tripolin teksa kanë pushtuar gjysmën e vendit duke u shtrirë kryesisht në jug dhe lindje të Libisë. Rrethimi i Tripolit i ka marrë jetën qindra personave.

Tv Klan