Lufta ruse në Ukrainë, kryeministrja Kallas thirrje aleatëve

Estonia mund të bojkotojë Lojërat Olimpike të Parisit vitin e ardhshëm nëse atletët rusë dhe bjellorusë lejohen të marrin pjesë. Ky është vendimi i pohuar nga kryeministrja e vendit, Kaja Kallas.

Ministrat e sportit baltik dhe polak u kanë bërë thirrje gjithashtu organeve ndërkombëtare të sportit për një ndalim të ngjashëm në mes të një lufte në Ukrainë, ndërsa Letonia dhe Kievi kanë kërcënuar të bojkotojnë Lojërat. Tre shtetet baltike dhe Polonia, anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s që kufizojnë Rusinë dhe Bjellorusinë, kanë qenë mbështetës të fortë të Ukrainës dhe ndër të parët që dërguan armë pas pushtimit nga Moska pothuajse një vit më parë.

“Përpjekjet tona duhet të jenë për të bindur miqtë dhe aleatët e tjerë se pjesëmarrja e atletëve rusë dhe bjellorusë është thjesht e gabuar. Bojkotimi është hapi tjetër,” tha Kallas pas takimit me homologët e saj letonezë dhe lituanez në Talin.

Komenti i saj vjen pas njoftimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) javën e kaluar se atletët nga të dy vendet, të ndaluar nga garat në Evropë, mund të lejohen të fitojnë vendin në Olimpiadë duke u kualifikuar përmes shteteve aziatike.

Klan News