Gazetari Glendi Tafaj thotë se ka mundësi që trajneri Sylvinho të bëjë 2-3 ndryshime në formacionin e Kombëtares për sfidën e nesërme me Spanjën. Në një lidhje direkte nga Dortmundi për edicionin e lajmeve në Tv Klan, Tafaj shprehet se trajneri do i bëjë këto ndryshime për t’ju përgjigjur lojtarëve spanjollë.

Glendi Tafaj: Gjatë gjithë kësaj kohe, Sylvinho ka qenë shumë i kujdesshëm që të bëjë stërvitje me dyer të mbyllura, përjashto 15-minutshin e parë, më tej, dyert i ka pasur hermetike. Megjithatë, sipas informacioneve që kemi, mund të ketë 2-3 ndryshime, ndoshta edhe pak më tepër në ndeshjen me Spanjën, jo për shkak të performancës që lojtarët që do të ulen në stol zhvilluan ndaj Kroacisë, por për shkak të ndryshimit taktik që Sylvinho kërkon të bëjë dhe për t’iu përshtatur kundërshtarit. Pra, lojtarët që do të hyjnë, nuk do të hyjnë sepse ata që ishin në fushë luajtën keq, por do të hyjnë se janë më të përshtatshëm për të ju përgjigjur lojtarëve spanjollë, kështu që mund të kemi dhe 3 ndryshime në formacion.

Përsa i përket gjendjes fizike të lojtarëve të Kombëtares, gazetari Glendi Tafaj shprehet se situata paraqitet optimale.

Glendi Tafaj: Situata është optimale. Nuk ka asnjë dëmtim. Edhe nga ana fizike përsa i përket dëmtimeve të ndryshme, nuk ka asnjë problem për trajnerin Sylvinho. Edhe nga ana psikologjike, skuadra duket gati. Lojtarët e kanë të qartë se cili është objektivi. Po flasim për një kundërshtar që është kandidat për ta fituar këtë trofe dhe vështirësitë janë maksimale dhe ky sport na ka mësuar se gjithçka mund të ndodhë.

Në 18:35 është parashikuar konferenca për mediat e trajnerit Sylvinho dhe Gjimshitit. Gazetari Tafaj thotë se Sylvinho dhe Gjimshiti mund të japin dhe një intervistë ekskluzive për Tv Klan.

Sfidën Shqipëri-Spanjë dhe të gjitha ndeshjet e Euro 2024 do mund t’i ndiqni në Tv Klan dhe Klan Radio.


/tvklan.al