Testi Euro2024 do t’i shërbejë jo pak Marash Kumbullës. I grumbulluar nga trajneri Sylvinho për finalet e kompeticionit, mbrojtësi do të synojë që të kap formën dhe ritmin për tu rikthyer në Romë.

Mbrojtësi ka vuajtur jo pak muajt e fundit, me periudhën e gjatë të dëmtimit që duket se ndikoi edhe në performancën e tij në fushën e lojës. Por minutat në Gjermani do të shërbenin si trampolinë për të vulosur fatin e tij në kryeqytetin italian.

Sipas asaj që raportohet në mediat pranë Romës, Kumbulla po forcon gjithnjë e më shumë gjasat për të qenë pjesë e verdhekuqve.

Shitja e mundshme e Diego Jorente do e favorizonte mbrojtësin shqiptar, i cili mund të katapultohej i treti në rangun e trajnerit De Rossi për tu aktivizuar në qendër të mbrojtjes.

Kumbulla do të shërbente si zëvendësues i dyshes Ndiçka-Mançini. 24-vjeçari ka një kontratë me Romën deri në verën e vitit 2027.

Klan News