OKB: ISIS po planifikon sulme të tjera

Shteti Islamik po planifikon të kryejë sulme të tjera terroriste brenda këtij viti. Alarmi vjen nga Kombet e Bashkuara që publikuan një raport paralajmërues, të bazuar në të dhënat e shërbimeve të inteligjencës së vendeve anëtare.

Sipas këtij raporti, janë rreth 30 mijë xhihadistë, të njohur ndryshe si luftëtarët e huaj, të cilët janë të gatshëm të sulmojnë. Një tjetër rrezik i mundshëm është bashkimi i tyre me Al-Kaedën apo organizata të tjera terroriste.

Pavarësisht se i ashtuquajtur Kalifati është mposhtur dhe larguar nga bastionet e tij, thuhet në raport, veprimtaria e ISIS dhe eksremizmi islamik janë ende të pranishëm në radikalizimin e personave të tjerë.

Kontinenti më i rrezikuar është natyrisht Europa, paralajmëron OKB, nisur nga më shumë se 2 mijë xhihadistë europianë të cilët janë zhdukur pas kapitullimit të ISIS. Mundësia që ata të jenë kthyer në kontinent është e lartë.

Një ditë më parë edhe Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje Europës të riatdhesojë terroristët e arrestuar nga SHBA në Siri. Në rast të kundërt, ai paralajmëroi se do t’i lirojë ata.

Tv Klan