Di Maio merr në dorë diplomacinë italiane

Qeveria e re e Italisë “Conte 2” bëri betimin paraditen e kësaj të entjeje tek Presidenti Mattarella. Kabineti i ri përbëhet nga 21 anëtarë, shumica e të cilëve vijnë nga Lëvizja 5 Yjet, 10 prej tyre.

Mes emrave nga ‘5 Yjet’ spikat kreu i tyre Luigi di Maio, i cili do të jetë në krye të Ministrisë së Jashtme. Di Maio nuk e ka fshehur simpatinë për Shqipërinë, kur në Gusht të vitit të kaluar pranoi strehimin e disa prej emigrantëve të anijes Diçoti që Italia u kishte mbyllur derën për shkak të mosmarrëveshjeve me Brukselin. Di Maio e quajti Shqipërinë “një vend më europian edhe se disa prej themeluesve të unionit”.

Demokratët kanë 9 poste ministrash, ku më e rëndësishmja është ajo e ekonomisë, në krye të të cilës do të jetë profesori Roberto Gualtieri. Politikanit pro-europian do t’i duhet të negociojë edhe me Brukselin për menaxhimin e financave italiane që ende mbeten në krizë. Ndërsa postin e Matteo Salvinit në Ministrinë e Brendshme e merr e vetmja ministre e pavarur, Luçiana Lamorgeze, e cila ka mbajtur postin e prefektit në disa qytete si Venecia e Milano. Miratimi në Parlament i qeverisë do të bëhet të hënën e ardhshme.

Tv Klan