Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan ka kërkuar ndihmë më të madhe ndërkombëtare për t’u përballur me valën e migrantëve dhe ka kërcënuar me rihapje të rrugëve drejt Evropës, nëse nuk financohet plani i tij për të krijuar “zona të sigurta” kufitare për refugjatë sirianë.

Turqia do të “detyrohet të hapë dyert” nëse nuk ofrohet më shumë ndihmë, ka thënë ai në një fjalim televiziv në Ankara.

“Nëse nuk na ofroni mbështetje, më vjen keq, mirëpo ne nuk do ta bartim këtë peshë të vetëm”.

Aktualisht Turqia është shtëpia e më shumë se 3 milionë refugjatëve, për shkak të luftës tetëvjeçare në Sirinë fqinje, çka ka krijuar vështirësi në ekoniminë turke.

Përveç sirianëve, Turqia ka strehuar edhe qindra mijëra irakianë dhe afganë, të cilët kanë ikur nga luftërat në vendet e tyre.

Më 2016, Ankaraja është pajtuar për të arritur marrëveshje me Bashkimin Evropian, për të ndalur valën e migrantëve nga jugu dhe lindja, në këmbim të miliarda dollarëve.

Që nga ajo kohë është zvogëluar numri i evropianëve që kanë synuar të nisen drejt BE-së, mirëpo së fundmi arritjet në gjirin e Mesdheut janë rritur sërish.

Në fjalimin e tij më 5 shtator, presidenti turk ka thënë se shteti i tij ka kërkuar 40 miliardë dollarë për të përballuar valën e migrantëve, dhe ka pretenduar se Evropa dhe Perëndimi kanë dështuar që të përmbushin zotimet e tyre.

Ai ka thënë se Turqia është duke kërkuar kthimin e 1 milion sirianëve në zonat e sigurta përgjatë kufirit turko-sirian, teksa presidenti sirian, Bashar al-Assad vazhdon të luftojë militanët kundër qeverisë në konfliktin tetëvjeçar./REL