Franca tanimë është në pikën kritike ku rritja dhe shtimi i madh i rasteve të reja me Covid-19, ka detyruar autoritetet që të ndërmarrin masa të ashpra madje po shqyrtojnë edhe një izolim të dytë. Në vetëm 24 orë janë regjistruar mbi 26 mijë të prekur të rinj, shifër kjo që nuk ishte parë as në periudhën Mars-Prill. Ndërkaq numri i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në mbi 32 mijë.

Autoritetet në Paris, kanë urdhëruar mbylljen plotësisht të bareve edhe te restoranteve. E njëjta masë po ndërmerret edhe në Marsejë. Rritja e rasteve ka bërë që maska të jetë e detyrueshme në çdo ambient të mbyllur përfshirë këtu supermarket, farmaci, transport publik. Edhe në Holandë është shënuar numri më i madh i rasteve në 24 orë, duke e kaluar për herë të parë shifrën 6000. Alarmante shifrat janë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, me 15 166 raste të reja me koronavirus në një ditë.

Po ashtu edhe Gjermania ka vendosur masa strikte në mbi 11 qytete. Rastet më të shumta janë identifikuar në Frankfurt dhe në disa qytetet të tjera. Për këtë arsye autoritetet kanë marrë masa të forta duke urdhëruar mbylljen e disa lokaleve dhe restoranteve. Jo vetëm kaq, por kufizimet përfshijnë rregulla më të rrepta për mbajtjen e maskave, kufizime në tubimet private dhe rregulla më të rrepta për blerjen e alkoolit.

India shumë shpejt mund t’ia kalojë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nga numri i të infektuarve. Deri më tani ky shtet numëron 7 milionë të infektuar dhe 108 mijë të vdekur. Marrja e masave të ashpra si dhe ideja se mund të rikthehet një izolim i dytë ka bërë që njerëzit në mbushim rrugët e Romës.

Mbi 4000 persona u mblodhën në sheshin San Giovani duke protestuar kundër përdorimit të maskës dhe mbylljes së bizneseve. Pjesë e tyre ishin edhe partia e djathtë ekstreme Forza Nuova , lëvizja anti-vax dhe grupet civile që e mohojnë virusin, të cilët janë shprehur kundër masave antiCovid-19 të marrë nga qeveria italiane. 

Një pjesë e madhe e tyre  kanë kundërshtuar forcat e policisë duke shkaktuar kaos. Protestuesit janë shprehur se atyre po i shkelen të drejtat. Kujtojmë se Italia ishte vendi më i goditur në Evropë gjatë pranverës, me 36 mijë  vdekje dhe mbi 349 mijë të infektuar si dhe përjetoi masat më drastike të kufizimit të lirive për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Klan Plus