Këtë fundjavë bregdeti i Durrësit është tejmbushur me pushues vendas dhe të huaj, të cilët po shijojnë motin e ngrohtë dhe rrezet e diellit.

Operatorët turistikë thonë që rezervimet kanë qenë të shumta kryesisht nga shqiptarët e Kosovës dhe turistët gjermanë e suedezë.

Blerim Norja, Operator turistik: Fatmirësisht dhe koha ka qenë e mirë dhe fluksi ka filluar që ditën e Bajramit. Përveç turistëve të huaj që në Durrës po shtohen çdo ditë, ka pasur dhe turistë nga Kosova të cilët kanë preferuar Shqipërinë për të kaluar fundjavën. Këtu e gjejnë veten më mirë se në çdo vend tjetër. Ka dhe një fluks të turistëve gjermanë e suedezë. Kanë filluar të vijnë edhe në pranverë.

Turistët dhe vizitorët shprehen se po kalojnë një fundjavë ndryshe.

“Është hera e parë që vij në Durrës. Më pëlqen këtu, është shumë bukur. Çmimet janë të mira dhe njerëzit miqësor. Është një qytet i bukur.”

“Temperaturat dhe uji shumë mirë. Ne kemi filluar të marrim rreze që në Shkurt.”

“Durrësi shumë qytet i bukur, më pëlqen shumë. Të Shtunave e të Dielave dalim, të gjitha rrugët janë plot.”

Tashme Durrësi prej vitesh mbetet një destinacion i pëlqyer jo vetëm për vendasit, por edhe për turistët me kombësi të ndryshme.

Edhe në Shëngjin nuk kanë munguar vizitorët e shumtë në këtë fundjavë të ngrohtë Prilli. Kjo perlë e Adriatikut, preferohet për qetesinë, pastërtinë dhe çmimet e favorshme.

“Vend shumë i bukur, i pastër, me gjitha të mirat. Pritja është në nivel, gjithçka është në rregull.”

“Një vend shumë i bukur, i mirë për ta vizituar. Temperaturat janë mesatare, mjaft të mira.”

“Ku ka si Shëngjini, vetëm emri është shërues! Lëri të tjerat…”

Me përmirësimin edhe të kushteve akomoduese, por edhe ofrimin e çmimeve tejet konkurruese,duket se bizneset në Lezhë kanë gjetur çelësin e suksesit për tërheqjen e turistëve dhe promovimin e vendit edhe jashtë kufijve.

Klan News