Besa dhe Pogradeci siguruan finalen e Play Off të Kategorisë së Parë, ku do të përcaktohet ekipi që do të përballet me skuadrën e renditur në vendin e tetë të Kategorisë Superiore.
Në ndeshjet e luajtura ditën e sotme, Besa barazoi me Apoloninë 1-1 në stadiumin “Niko Dovana”. Pjesa e parë u mbyll pa gola.
Fierakët zhbllokuan rezultatin në minutën e 74’ me Maksutin.
Por kavajasit luftuan dhe 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt Abdulai shënoi golin e barazimit.
Sipas skemës së përcaktuar nga FSHF, skuadra e renditur më mirë në klasifikim kualifikohet për në finale në rast barazimi.
Ndërsa Pogradeci triumfoi ndaj Burrelit në transfertë me rezultatin 0-1 dhe siguroi një vend në finale.
Takimi u vendos nga goli i Krasniqit në minutën e 21’ të lojës. Deri në fund të takimit, liqenorët menaxhuan avantazhin.
Finalja e fazës Play Off do të luhet më 28 Prill.
Besa dhe Pogradeci do të luftojnë për të përcaktuar skuadrën që do të përballet me ekpin e renditur në vendin e tetë në Kategorinë Superiore në finalen e Play Out.
Fituesi i kësaj ndeshjeje do të luajë sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar.
Klan News