Media prestigjoze rekomandon disa qytete historike që duhen vizituar

Listës së gjatë të mediave më të mëdha ndërkombëtare që vënë në pah bukuritë e Shqipërisë, i bashkohet edhe media prestigjoze “Financial Times”. Gjigandi mediatik i ka kushtuar një reportazh të gjatë vendeve historike që u mundëson udhëtarëve të kthehen pas në kohë. Në udhëtimin e tij 10 ditor gazetari Stanly Stewart viziton vendet antike si Butrinti dhe Apolonia.

Një qytet tjetër i rëndësishëm historik ku ai ndalet është edhe ai i Gjirokastrës të cilën shkrimtari Ismail Kadare e ka përshkruar si të çuditshëm dhe ëndërrimtar. Sot, vetë shtëpia e tij është Muzeu Etnografik i Gjirokastrës. Modeli i shtëpisë së shkrimtarit i ngjason edhe të tjerave në qytetin e gurtë të cilat njihen për modelin e veçantë. Në qendër të arkitekturës së tyre është veçimi i grave të cilat mund të ndiqnin bisedat pa u parë nga mysafirët.

Mbi çatitë e shtëpive të Gjirokastrës ndodhet kështjella, një atraksion i rëndësishëm i qytetit. Rreth 72 kilometra në veri të Gjirokastrës ndodhet Berati, një tjetër qytet i epokës osmane, por historia e të cilit shtrihej 2400 vjet më parë, madje edhe përtej ilirëve. Shtëpitë që ngrihen në faqet e pjerrëta të kodrave që duket se qëndrojnë mbi supet e njëra-tjetrës i japin qytetit një pamje të veçantë.

Në këtë qytet ndodhet Kisha e Shën Mërisë, me pikturat e Onufrit, një nga piktorët e mëdhenj të ikonave të shekullit të 16-të. Tiranën e përshkruan si një qytet simpatik. Ka kafene me tarraca në natyrë, një sallë të bukur koncertesh, një muze të madh arkeologjik dhe disa muze modernë tërheqës që dëshmojnë tmerret e periudhës komuniste.

Klan News