Zikaltrit mundin në “San Siro” Atletico Madridin falë golit të Arnautoviç

Interi fitoi ndeshjen e parë të raundit të 16-ve të Ligës së Kampioneve kundër Atletico Madridit me rezultatin 1-0. Zikaltrit u larguan nga “San Siro” me një avantazh të vogël në këtë fazë. Ekipi i Inzaghi-t krijoi raste me Thuram dhe Martinez në pjesën e parë, ndërsa pas dëmtimit të francezit në lojë u fut Arnautoviç. Pas disa gabimeve, austriaku shënoi golin e fitores në minutën e 79 të lojës.

Në përfundim të sfidës, trajneri i zikaltërve Inzaghi tha se ekipi meritonte më shumë.

“Paraqitje mjaft e mirë e djemve, u treguan të jashtëzakonshëm kundër një kundërshtari të madh! Keqardhja është se fituam vetëm me një gol pasi do të jetë shumë e vështirë në Madrid. Jam i lumtur për Arnautoviçin, për mënyrën se si luajti dhe se si po punon në stërvitje”, tha Inzaghi.

Me këtë sukses, Interi shkon në nëntë ndeshje radhazi në të gjitha kompeticionet për herë të parë me Inzaghi-n si trajner. Hera e fundit që e kishte bërë ishte në periudhën shkurt-prill 2021 me Antonio Conte-n. Zikaltrit janë ekipi që ka mbajtur më shumë portën e paprekur këtë sezon në pesë ligat më të mira evropiane në të gjitha garat, me 21 sfida.

Klan News