Marrëdhënia nënë e bijë është komplekse po aq sa edhe speciale. E pikërisht për ketë marrëdhënie foli sot ndër të tjera në emisionin “Rudina” në Tv Klan moderatorja Ilda Bejleri. Ajo tha se nëna e saj është kritikja më e madhe që ka, por në të njëjtën kohë njeriu më special. Gjatë emisionit moderatorja mori edhe një mesazh surprizë nga nëna e saj, Lola Bejleri.

“S’ta priste mendja që do isha unë në video ë? Ilda ka qenë një fëmijë rebel, ka pasur personalitet të fortë dhe ambicioz. Por edhe unë nuk kam qenë nga ato nëna që i lavdërojnë fëmijët dhe i tolerojnë. Kjo ka bërë që ne të dyja të duhemi shumë dhe të tolerojmë shumë. Kjo ka bërë gjithashtu që Ilda të jetë kërkuese ndaj vetes dhe profesionit. Edhe pse është bërë e njohur, Ilda e di që kritikja numër 1 e saj jam unë sepse gjithmonë kam dashur që fëmijët e mi të jenë me këmbë në tokë dhe realistë. Po t’i thoni Ildës që i kemi bërë mamit një video ajo do të thotë:” O bo bo, kushedi për çfarë më ka kritikuar mami”. Dua t’i them Ildës që mami e do shumë, është vajza e ëndrrave të mia dhe mami e ka shpirt”

, tha Lola Bejleri në video-mesazh.

Ndërkohë që dëgjonte fjalët e së ëmës, moderatorja u emocionua dhe nuk i mbajti lotët.

“Është hera e parë që mami del në televizor. Ajo është gjithnjë pas kamerave dhe është kritike e madhe. Gjithmonë e kam konsideruar një njeri special. Më ka mbështetur gjithmonë. Na ka shtyrë të bëjmë diçka në jetën tonë dhe gjërat që dëshironim ne në fund të fundit. Kur kam qenë e vogël kam qenë me idenë se dobësia e mamit është vëllai, por kur Bledi u largua nisa t’i shoh gjërat ndryshe, vajzat janë dashuri për mamin. Jam shumë e surprizuar nga fjalët e saj”

, tha Ilda Bejleri. 

/tvklan.al