“Të shmanget përdorimi i fjalëve të huaja në median e shkruar e vizive”

Përdorimi i fjalëve të huaja gjerësisht në media, si në artikujt e shkruar, por edhe në emisionet televizive ishin në qendër te diskutimeve në takimin e parë për këtë vit, të nxitur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive me temë, “Fol Shqip-Të mbrojmë dhe të duam gjuhën Shqipe.”

Përfaqësues të AMA-s, gjuhëtarët dhe gazetarë vunë theksin në gjetjen e mënyrave për të zvogëluar huazimet. Ruajtja e Gjuhës Shqipe dhe drejtshqiptimet, u lanë në ndërgjegjen e çdo personi publik dhe institucioni mediatik. 

“Nëse media do që të bëjë punën e vet, që fjala ‘kumti’, ‘kumtimi’ të shkojë të masa të përpiqemi që ta kuptojnë jo vetëm ata që janë gjithë ditën me letra në dorë, por edhe ata që nuk kanë nge që të kenë më libra në dorë”, u shpreh gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj.

“Çfarë është gjuha sot që transmetohet në mediat audiovizive? Është një gjuhë e cila është hibride. Është standardi, por janë edhe dialektet dhe të folurat e ndryshme”, shtoi gjuhëtarja Linda Mëniku.

Ndërsa nga ana e saj AMA, u zotua që duke punuar ngushtësisht me gjuhëtarët, do të kenë në vëzhgim mediat dhe perfomancën e tyre drejt kësaj thirrje të ripërsëritur. Sakaq ky institucion do të krijojë një regjistër me fjalët apo shprehjet e huazuara më të përdoruara në median e shkruar dhe vizive.

“Jo gjithmonë masat ndëshkuese janë ato që të sjellin në vëmendje diçka që nuk je duke bërë mirë. Mjafton ndonjëherë edhe një thirrje masive për gazetarët”, u shpreh kryetarja e AMA, Armela Krasniqi.

Ky takim i parë nuk do të jetë i fundit dhe hap pas hapi do të rrihen mendimet, se cila do të jetë mënyra më e mirë për të mbrojtur dhe folur pastër Gjuhën Shqipe.

Tv Klan