Deri në vitin 2040, Durrësi do të jetë qyteti me rritjen më të madhe të valës së të nxehtit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Është ky parashikimi i Bankës Botërore në raportin e rregullt ekonomik, sipas së cilit në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor temperatura parashikohet të rritet deri në 7.5 gradë C krahasuar me nivelet para industriale.

“Pas Durrësit, Shkodra, Tirana dhe Vlora janë qytetet që pritet të përjetojnë më së shumti valët e të nxehtit, me më shumë ditë me temperatura të larta”, raporton gazetarja Dorina Halili.

“Do përjetojnë temperatura më të larta dhe shtrirja kohore do jetë më e gjatë. Vendi ynë është një nga vendet me riskun më të madh sa i përket pasojave të ndryshimeve klimatike. Para viteve ‘90 vendi ynë prekej nga një valë e të nxehtit që qëndronte nga tre apo 5 ditë, tani ndodh që i kemi prezente jo vetëm në verë por që në Shkurt, si rasti i këtij viti”, tha Anira Gjoni, eksperte në IGJEO.

Valët më të mëdha të të nxehtit do të përjetohen në qytetet e mëdha. Instituti i Gjeoshkencave e lidh këtë me urbanizimin.

“Ajo ç’ka i bën vulnerablë qytetet tona sigurisht që është faktori urban”, tha Gjoni.

Për këtë arsye kërkohet një planifikim urban dhe transport më pro natyrës.

“Të shtojmë hapësirat e gjelbra, të përdoren materiale më miqësore me mjedisin”, shprehet ajo.

Në nivel rajonal, pas Durrësit, Podgorica është qyteti i dytë që do të ketë rritjen më të lartë të indeksit të madhësisë së valës së nxehtësisë deri në vitin 2040.

Këto valë të nxehtit sipas Bankës Botërore ndikojnë në shëndetin, mirëqenien socio-ekonomike, si dhe në produktivitetin e punës në të gjithë sektorët, sidomos në bujqësi dhe ndërtim.

Tv Klan