Arrestohet në Holandë autori i atentatit të 6 Qershorit të vitit të kaluar ndaj Florenc Çapjas e Bledar Muçës, në qendër të qytetit të Elbasanit. Ai është 25 – vjeçari Shkëlzen Hasanpapaj, që shihni në këtë foto. Strukturat qendrore të hetimit në Policinë e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e kanë identifikuar të riun që jeton prej disa vitesh në qytetin e Elbasanit.

Ishin provat shkencore dhe ato të siguruara në rrugë operative i kanë çuar hetuesit tek ky person, që u filmua edhe nga një kamera sigurie duke u larguar me vrap, pasi i qëlloi dy të rinjë me kallashnikov, duke lënë të plagosur Bledar Muçën dhe një punonjese policie, që po kalonte rastësisht pranë ish – spitalit kirurgjik, pak metra larg Prokurorisë dhe Policisë.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur për Televizionin Klan se fillimisht në gjurmët e Hasanpapës është rënë në rrugë operative. Më pas, profili i tij ka dalë edhe nga analizat e ADN.

Gjurmë të ADN –së së tij janë marrë nga një palë doreza, një xhup dhe një kapuç, që i ka përdorur në atentatin e 6 Qershorit dhe që u gjetën nga policia pas krimit. Ato janë krahasuar me ADN –në e 25 – vjeçarit që i ishte marrë nga strukturat hetimore në një vend anëtar të Bashkimit Europian, ku ai ishtë dënuar për trafik droge.

Pas kësaj u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e Hasanpapës, pasi rezultoi se ai kishte dalë jashtë vendit. Në arrestimin e tij u përfshi edhe Interpoli, ndërsa tani pritet që të nisin procedurat e ekstradimit.

Burime nga grupi hetimor thanë për Televizionin Klan se 25 –vjeçari dyshohet të ketë vepruar për llogari të një grupi kriminal që merret me trafikun e drogave të forta në Elbasan. Persona të tjerë të dyshuar si anëtarë të këtij grupi mësohet se janë nën hetim.

Sipas hetuesve, dyshohet se përplasjet që çuan në atentatin e dështuar kanë ardhur pikerisht për shkak të këtij aktiviteti të paligjshëm që ushtrojnë palët.

I njëjti person pritet të verifikohet nëse ka lidhje edhe me ngjarjen e 3 Shkurtit të vitit 2016, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën rëndë shtatë të tjerë nga familja Çapja dhe miq të tyre.

Në këtë ngjarje u plagosën edhe Florenc Çapja e Bledar Muca. Veç kësaj piste, policia ka hetuar më parë edhe atë të një konflikti mes familjeve Çapja e Mema, i cili daton prej vitit 2005 dhe ka shkaktuar 9 viktima.

Tv Klan