Në ditëlindjen e partisë së tij, Gramoz Ruçi zgjodhi t’i japë fund maratonës 30-vjeçare në Partinë Socialiste. Duke filluar nga 9 Shtatori, Gramoz Ruçi nuk do të ketë asnjë funksion në PS, as mandatin e deputetit që i dha qarku i Fierit në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Gjatë këtij mandati që po përfundojmë me mua ka bashkëjetuar një pyetje: Kur dhe ku unë Gramoz Ruçi do deklaroj fundin e kësaj maratone time politike, pasi çdo politikë, ka startin e nisjes ka dhe finishin e mbërritjes. Prandaj miqtë e mi, unë kam zgjedhur sot, se s’ka më mirë sesa 30 vjetori i Partisë Socialiste të Shqipërisë, s’ka më mirë se sot, që ne kemi fituar mandatin e tretë të qeverisjes, s’ka më mirë se pas disa muajsh unë kam edhe një përvjetor tjetër personal, 70 vjetorin e ditëlindjes time… që të deklaroj këtu para jush, se në 9 Shtator, që fillon legjislatura e re, nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë PS dhe socialistët shqiptarë të qarkut të Fierit dhe se nuk do të kem ambicien për të qenë në asnjë organ të zgjedhur ekzekutiv të familjes time politike që më ka dhënë kaq shumë në këto 30 vjet”, tha Ruçi.

Në njoftimin e largimit nga politika, Ruçi la pas mosmarrëveshjet, duke falenderuar dhe një ndër kundërshtarët e betuar të socialistëve.

“Do të përshëndesja miqtë e mi, të parët, 4 rinjtë që trokitën tek dera e Partisë Socialiste: Ilir Zelën, Ndre Legisin, Pandeli Majkon dhe Ilir Metën”.

E përveç një përqafimi, kryeministri Edi Rama shprehu vlerësimet më të larta për mikun e vjetër socialist.

Gramoz Ruçi njihet si një nga themeluesit e PS që e ka nisur rrugëtimin në politikë që në vitin 1978 si pjesë e Partisë së Punës. Në vitin 1991 Ruçi ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme. Kjo ishte edhe detyra e tij e fundit në postet ekzekutive.

Nga viti 2010 deri në vitin 2017, Gramoz Ruçi ka mbajtur postin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, ndërsa në vjeshtën e vitit 2017, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, funksion të cilin do ta ushtrojë deri në Shtator, kur të konstituohet parlamenti i ri që doli nga zgjedhjet e 25 Prillit 2021.  

Klan News