Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Binomi Nano-Meta nuk mund të bashkejetojë për shkak të armiqësive të hershme. Kështu e ka përkufizuar Genc Pollo një nga reformatorët e PD, formulimin e ri politik në PS. Sipas Pollos edhe pse Meta i përket brezit të ri të politikanëve ka dështuar në drejtimin e Komisionit qeveritar kundër korrupsionit e kontrabandës.

Genc Pollo, deputet i PD:- “Unë mendoj që është një zgjidhje e sforcuar e PS, nuk besoj në qëndrueshmërinë e brendshme të binomit Nano-Meta. Mendoj që brenda koalicionit qeveritar dhe PS, zoti Nano kryetari i PS është armiku më i madh i Kryeministrit Meta dhe Nano do përpiqet ta dobësojë, ta godasë, dhe së fundi ta zëvendësojë zotin Meta. Pra, nuk kemi të bëjmë me një zgjidhje qeveritare të qëndrueshme. PS pas gjithë këtyre krizave dhe pas rezultateve që ka treguar në qeverisje është e dëshmuar si e paaftë, pra ka humbur mandatin moral, pavarësisht nga numrat në Parlament, ka humbur mandatin për të qeverisur më tej. Dhe konsultimet me të gjitha palët, me palët parlamentare do ishin të nevojshme. Ndoshta një zgjidhje më e mirë do ishte një Qeveri me mandat të kufizuar kohor dhe programor dhe në këtë program të shkurtër do përfshiheshin dhe të gjitha masat legjislative dhe masat teknike për zgjedhje të reja. Në një ditë zgjedhjet do vijnë është e mira të vijnë në kohën e duhur të jenë të përgatitura siç duhet në mënyrë që të mos kontestohet më vonë dhe të kthehen në vetvete në një burim instabiliteti. Dhe PD duhet të shkojë në këto zgjedhje e përgatitur mirë me të gjitha, me forcën e duhur dhe me imazhin e duhur, në mënyrë që në këto zgjedhje të shkohet për të fituar dhe jo për të dështuar”.

Por në qoftë se se brenda PD, opozitës më të madhe në vend zhvillimet do të ishin pozitive kriza në qeverisje sipas Pollos, do ti ofronte mjaft shance kësaj partie./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego