Greqia ndalon lëvizjen gjatë natës në 20 rajone

Koronavirusi ka shënuar të tjera shifra të larta duke tejkaluar kuotën e 23 milionë të prekurve në gjithë botën, që prej nisjes së pandemisë.

E rëndë situata në 24 orët e fundit është paraqitur në Gjermani, ku numri i rasteve të reja ka arritur në 2,034, një nivel që nuk ishte arritur që prej fundit të Prillit.

Shkak e përhapjes masive të infektimeve është bërë rihapja e shkollave. Autoritetet thonë se të paktën 41 mësues ose studentë në Berlin janë infektuar, vetëm dy javë nga nisja e mësimit.

Në rritje shifrat po vijnë edhe në Greqi, ku deri më tani regjistrohen mbi 8 mijë të infektuar duke sjellë nevojën e masave anti-covid por edhe të mbështetjes për ekonominë e vendit.

Akti i ri normativ parashikon që për 20 zona të vendit, do të ndalohet qarkullimi nga mesnata deri në orën 07:00 e po ashtu ndalimin e grumbullimeve në jo më shumë se 50 persona.

Ministri i Shëndetësisë, Vasilis Kikilias ka vënë në dispozicion buxhetin për të gjitha bashkitë e vendit, për të pajisur me maska falas nxënësit dhe mësuesit si dhe për sigurimin e 700.000 vaksinave kundër covid-19 të Universitetit të Oksfordit, që priten të arrijnë në muajin Dhjetor.

Ndër vendet më të goditura nga COVID-19, mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat kanë regjistruar 48.693 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit dhe 1.108 viktima.

Bilancet e vdekjeve janë të rënda edhe për Brazili, që në 24 orët e fundit ka shënuar 1.054 vdekje dhe 30.355 infeksione të reja.

Tv Klan