Gjermania po merr rreth 1.000 azilkërkues nga kampet e mbipopulluara në ishujt grekë. Këta janë fëmijë dhe të rinj, që sipas qeverisë gjermane, kanë nevojë urgjente për trajtim.

Edhe në fluturime të tilla Organizata Ndërkombëtare e Migracionit e Kombeve të Bashkuara shqyrton shëndetin e udhëtarëve, dhe kjo përfshin një test për koronavirus. Sipas qeverisë gjermane, një rezultat negativ i testit lejon refugjatët që  të nisen.

Disa fluturime janë realizuar gjatë muajve të fundit por pas testimit të dy familjeve ato rezultuan me korona ndaj fluturimi drejt Berlinit tani është anuluar. Situata lokale me koronavirusin në Greqi sa vjen e po përkeqësohet ku mijëra refugjatë po jetojnë në hapësira ​​të ngushta në kampe të bllokuar në rrugën drejt Evropës perëndimore.

Kriza e koronës dhe refugjatëve nuk po mund të ndahen nga njëri-tjetri. Këta njerëz po luftojnë të tejkalojnë kufijtë ndaj bëhet fjalë më tepër për mbijetesë dhe më pak për mbajtjen e rregullave të distancës fizike.

Vetëm disa ditë më parë Greqia raportoi infeksionin e parë me koronavirus në një nga kampet e mbipopulluara të refugjatëve në Moria në ishullin Lesbos ku kushtet janë më të pasigurta. Ishte një 35-vjeçar nga Jemeni ndërsa numri i personave të infektuar është rritur ndjeshëm. Refugjatët që rezultojnë pozitiv janë aktualisht në karantinë në një hotel në Athinë.

Fokusi i tanishëm është në testimin e migrantëve që janë gati të udhëtojnë, siç ishte rasti këtë javë me gjashtë të mitur që do të evakuohen në Finlandë. Qeveria greke përfundoi ndërtimin e një spitali fushor në Lesbos, i financuar nga qeveria holandeze. Aty janë në dispozicion 62 shtretër, 52 prej të cilëve janë për pacientët që duhet të izolohen, plus katër shtretër të kujdesit intensiv.

Klan Plus