24 nëntor 2026 – Kryeministri Edi Rama prezantoi Sistemin Unik të Gjobave. Një tjetër nismë në kuadër të digjitalizimit të administratës publike, që synon standardizimin e procedurave administrative, rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies së institucioneve ndaj qytetarëve.

Përmes këtij sistemi, çdo gjobë do të pajiset me një numër unik identifikimi dhe një bazë të qartë ligjore, duke garantuar gjurmueshmërinë e plotë të procesit dhe identifikimin e punonjësve përgjegjës për vendosjen e masave administrative.

Gjatë aktivitetit, Rama theksoi se qytetarët do të njoftohen në kohë reale përmes platformës e-Albania dhe do të kenë mundësi të aksesojnë të gjitha gjobat e tyre, të ndara në aktive, të paguara dhe të apeluara. Po ashtu, sistemi do të mundësojë kryerjen e pagesave dhe paraqitjen e ankesave në mënyrë të drejtpërdrejtë nga telefoni, duke shmangur procedurat e mëparshme me dokumente fizike.

“Është një tjetër stacion i rëndësishëm në rrugën e transformimit të administratës dhe të marrëdhënies me qytetarin, sepse më në fund krijohen të gjitha premisat e një rruge të gjatë të gjobave të vendosura në copa letre. Të gjitha institucionet që ju drejtoni do të mund të hyjnë në një epokë të re, të vendosjes së gjobave, përmes teknologjisë digjitale. E cila sjell në radhë të parë njoftimin e menjëhershëm të qytetarit, përmes platformës e-Albania, që sjell në mënyrë automatike në telefonin e qytetarit. Të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësi që të kontrollojë në mesazhet e tij në e-Albania gjobat që ka. Mund të shikojë se si ato janë të ndara në gjoba aktive, të paguara dhe të apeluara. Do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të paguhen nga telefoni, të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë.”

Kreu i qeverisë bëri të ditur se hapi i radhës do të jetë krijimi i Regjistrit Kombëtar të Gjobave, ndërsa njoftoi edhe nisjen së shpejti të projektit për pajisjen e punonjësve të policisë dhe inspektorëve në terren me kamera trupi, të cilat do të jenë aktive gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas Ramës, kjo do të mundësojë monitorimin në kohë reale të veprimtarisë së tyre dhe kontrollin e mënyrës së komunikimit me qytetarët, duke synuar një marrëdhënie më transparente dhe më të gjurmueshme mes administratës shtetërore dhe publikut.

“Ajo që është e rëndësishme të nënvizohet është që nuk ka më një proces gjobitjeje pa gjurmueshmëri. Identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjoba, që u jep mundësi institucioneve që të shikojnë në një hartë të gjithë proceset. Sigurisht që hapi tjetër është krijimi i regjistrit kombëtar të gjobave, që mbyll një proces jo të lehtë, sepse ka qenë një punë e gjatë për të ardhur deri këtu. Së shpejti do të fillojë edhe zbatimi i projektit për pajisjen e të gjithë punonjësve të policisë dhe punonjësve të terrenit me kamera trupi, të cilat do të jenë aktive gjatë gjithë kohës. Kjo do të bëjë që në kohë reale, sipas kodeve të përcaktuara, të ndiqet aktiviteti i çdo inspektori në terren, të shihet vija e sjelljes së çdo punonjësi policie në raport me qytetarin. Gjëja më e rëndësishme është që të gjitha këto së bashku e ngrenë në një nivel tjetër marrëdhënien e shtetit me qytetarin.”

/tvklan.al