Gjykata e Edirnesë në Turqi ka vendosur që dy ushtarët grekë të arrestuar në territorin turk më 1 Mars të vazhdojnë të mbeten në burg.

Ditën e mërkurë, avokatët Selin Ozel dhe Hakan Yalçintug kërkuan lirimin e ushtarëve grekë Angelos Mitretodis dhe Dimitris Kouklazis, por gjykata turke vendosi që ata të mbeten në burg, pasi sipas trupës gjykuese ekzistojnë dyshimeve se mund të largohen nga vendi.

Para gjykatës ushtarët grekë ripohuan se në territorin turk kishin kaluar gabimisht si pasojë e kushteve të vështira atmosferike.

Rreshteri Dimitris Kouklazis tha se diçka e ngjashme u kishte ndodhur më parë edhe ushtarëve turq, “por ne u kemi dhënë të kalojnë sërish në Turqi pa hapur asnjë procedurë ndaj tyre dhe pa njoftuar eprorët tanë. Kjo është një ngjarje që përjetohet shumë shpesh në dy anët e kufirit. Deri më sot nuk ka ndodhur ndonjë problem.”

Ndërkohë, pas pothuajse dy muajsh në burg, media turke ka publikuar për herë të parë fotot me fytyrë të dy ushtarëve grekë, që sipas Greqisë po mbahen “peng” në burgjet turke.

Presidenti turk Erdogan indirekt ka kërkuar që për lirimin e ushtarëve grekë Athina të ekstradojë 8 turqit që u arratisën për në Greqi menjëherë pas grushtit të dështuar të shtetit, në korrik 2016. Kërkesa turke është refuzuar prerazi nga Presidenti grek./tvklan.al