Projekti i rehabilitimit do të kushtojë 17 milionë $

Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për të zgjedhur kompaninë, e cila do të zbatojë projektin i rijetëzimit të Piramidës së kryeqytetit.

Procedura e prokurimit i hap rrugë nisjes së punimeve për rehabilitimin e të gjithë zonës përreth Piramidës dhe rikonstruksionin e plotë të saj, për ta përshtatur në një qendër multifunksionale e cila do të ketë si qëllim organiziminin e shfaqjeve, promovimin e artit dhe inovacionin.

Ndërhyrjet brenda godinës do të zhvendosin teatrin e vjetër dhe do të përshtasin ambientin me hapësira të reja të dedikuara për të rinjtë. Në pjesën e jashtme të saj, pllakat ekzistuese do të hiqen, pastrohen dhe rivendosen, për të ruajtur imazhin fillestar të piramidës.

Punime rehabilitimi do të kryhen edhe përreth lulishtes dhe shatërvanëve në parkun përgjatë saj.

Fondi total për rikonstruksionin e Piramidës është 17 milionë dollarë, pjesa më e madhe e të cilit do të sigurohet nga buxheti i bashkisë dhe një pjesë tjetër do të transferohet nga buxheti i shtetit dhe Fondi Amerikan për Zhvillim.

Nëse procedurat e tenderit nuk do të vonohen, parashikohet që punimet të nisin në vjeshtë dhe të përfundojnë pas 2 vjetësh.

Tv Klan