Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, tha se Amerika nuk ka nevojë për zëdhënës duke ironizuar kështu me kërkesën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për pezullimin e taksës.

Këto komente ai i bëri pas takimit të liderëve ku u diskutua për dialogun dhe taksën.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës :

Amerika flet vet, as presidenti, as unë as dikush tjetër nuk është zëdhënësi Amerikës, nuk kanë nevojë me folë për ta, ata flasin vet, dinë me fol i shpjegojnë gjërat”,

Haradinaj takimin e sotëm me liderët shtetëror e ka lëshuar më herët, ndërsa mësohet se janë ashpërsuar tonet ndërmjet tyre për këtë çështje.

Ndërkohë pasdite, ekipi negociator ka miratuar platformën për dialogun me Serbinë të cilën nesër do t’ia dorëzojnë kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.

U mbetet pastaj deputetëve të debatojnë përgjithë atë që është përfshirë në këtë platformë.

Bashkëkryesuesit nuk kanë qartësuar nëse në platformë është përfshirë çështja e Veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, por vetëm kanë thënë se si bazë e kanë vetëm kushtetutën e Kosovës, sipas së cilës integriteti territorial është i garantuar.

Partitë opozitare LDK-ja dhe Vetëvendosje kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë këtë platformë.

Tv Klan