Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, mori pjesë në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, takim ky i cili u zhvillua në Pragë.

Ky ishte takimi i fundit në nivel të Ministrave të Jashtëm në parapërgatitje të Samitit të Uashingtonit, që shënon dhe 75-vjetorin e Aleancës.

Ministri Hasani, rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, theksoi gjithashtu domosdoshmërinë që NATO mos të largojë vëmendjen e saj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, pasi kjo kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë.

“Samiti i NATO-s në Uashington, duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor vëmendjen që meriton, veçanërisht përballë sfidave të jashtme të sigurisë”, tha Hasani.

Në takimin jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë tha Hasani u rikonfirmua mbështetja e palëkundur e Shqipërisë për Ukrainën e lirë dhe sovrane dhe angazhimin për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen kolektive.

“Shqipëria mbetet e vendosur për të luajtur rolin e saj si aleate e palëkundur e vlerave euroatlantike”, theksoi Ministri Hasani, pas takimit.

Ministrat aleatë trajtuan progresin e vendimeve të marra në Samitin e Vilniusit, të cilat synojnë që NATO të vijojë të ruajë paqen, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullatën dhe vlerat e territorit aleat, prioritetet e Samitit të Uashingtonit dhe veçanërisht vijimin e ndihmës për Ukrainën.

Klan News