Shuhet zjarri masiv që përfshiu Shëngjinin. Pas 3 ditësh beteje me flakët, vatrat e zjarrit janë vënë nën kontroll këtë të mërkurë.
Ndërhyrja me helikopterin e forcave të armatosura dhe ndihma nga Italia me dy avione Canader ishin vendimtare për fikjen e zjarrit.
“Është një operacion që ka qenë jashtëzakonisht i vështirë dhe ka kërkuar kapacitete të jashtëzakonshme të burimeve njerëzore e teknike, por edhe mbështetje nga faktori ndërkombëtar nëpërmjet mekanizmit të mbrojtjes civile europiane ku vënia në lëvizje me dy avione Canader të qeverisë italiane ka qenë një suport i jashtëzakonshëm.”
Në terren kanë qenë më shumë se 300 forca të cilët janë ndihmuar edhe nga vullnetarë dhe banorë të zonës
“Pisha dhe bimësi të djegura totalisht është ajo çfarë ka lënë pas zjarri i rënë në malin e Shëngjinit ndërsa ende vazhdon të ketë trungje pishash të cilat po digjen duke nxjerrë tym në zonë.”
Vijon monitorimi i situatës në terren në rast të riaktivizimit të vatrave të zjarrit.
“Po trajtojmë edhe vatrat më të vogla. Të ribëjmë një rivlerësim të disa vatrave që nuk janë aktive tani, por që historia tregoi që me erën që është prezente edhe sot mund të riaktivizohen.”
Nga zjarri fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por megjjithatë ka dëme në biznese ndërsa u dogj pjesërisht edhe një shtëpi
“Ne kemi pasur disa dëme tek beach bar-et këtu dhe shëzlongët, por siç e shihni çdo gjë po kthehet në normalitet. Fatkeqësisht edhe koha ishte në anën e zjarrit. Kishte një erë shumë të madhe që e ndihmoi zjarrin të përhapet me një shpejtësi të madhe. Çdo gjë ka ndodhur brenda sekondave. Ishte e pamundur ta dije se nga vinte zjarri.”
Veç banorëve të zonës të cilët u evakuuan janë kthyer edhe vizitorët për të vijuar pushimet e tyre në Shëngjin
Sipërfaqe e konsiderueshme me pisha dhe bimësi të tjera janë djegur plotësisht ndërsa zjarri iu afrua edhe hoteleve e banesave. Për shkak të erës në zonë flakët drejtuan edhe drejtim duke shkuar pranë portit ku pati zjarr edhe në fundjavë.
Klan News