Në aktivitetin e hapjes së garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, ka qenë i pranishëm dhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se ky port ndikon deri në 3% të prodhimit të përgjithshëm tregtar të vendit. Teksa ka listuar të gjitha efektet pozitive të portit, kryeministri është shprehur se do të ndikojë dhe në sigurinë tonë. Rama ka theksuar se do të ketë dhe anën ushtarake, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake me parametra optimalë.

Edi Rama: Shqiptarët kanë zgjedhur që ky vend të bëhet më në fund pjesë e familjes së vendeve të lira dhe demokratike. E shkuara, njësoj si porti i Durrësit në qendër të qytetit, një plagë mjedisore, një plagë fizike që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik sepse e dimë se ajo rrëmujë dhe ai kaos ka qenë një zonë e errët e veprimtarive të paligjshme. Largimi i Portit të Durrësit nga qendra dhe vendosja e tij këtu, krejtësisht me një tipologji me përmasa të reja, hapja e një kapitulli të ri në historinë e ekonomisë dhe sigurisë kombëtare. Ky projekt ka një garanci shumë të madhe, ka garancinë e një prej kompanive më të shkëlqyera që ka bota.

Një port ndikon deri në 3% prodhimin e përgjithshëm kombëtar të vendit, ky që kemi dhe që është një turp i madh, e ka impaktin qesharak. Ky do të jetë një port që do të impaktojë dhe sigurinë tonë. Do të ketë dhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake, jo thjesht të re në numër, por një bazë ushtarake me parametra optimalë. Ky port është një port i ri në Evropë pas shumë dekadash. Ne kemi fatin që duke qenë në fund të kësaj kolone të gjatë, të marrim dhe përfitimin e një dije që është krijuar në vite dhe në aspektin mjedisor dhe në atë të gjelbër të kemi një port që do të jetë një shembull ekselence.

Rëndësia e madhe strategjike e këtij porti për Shqipërinë 2030 sepse ky port i jep Shqipërisë një fuqi në rajon, e bën një pikë kyçe për tregtinë dhe për sigurinë e të gjithë rajonit. Ky port që do të lidhë tregtinë me pjesën tjetër të rajonit përmes hekurudhave që do të ndërtojmë dhe përmes 2 porteve të thata që do të ndërtohen, do të orientojnë flukse shkëmbimesh. Porti do të sjellë punësim cilësor të mirëpaguar. Durrësi me këtë port dhe me portin turistik që është në rrugën e vet normale të ndërtimeve dhe me projektet e tjera që po bëjmë gati, mnë në fund do të ketë të gjitha atë peshë që duam t’i japim dhe do të rifitojë atë reputacion që ka pasur në kohë të vjeta dhe sidomos në marrëdhënien me Italinë.


/tvklan.al