Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Edmond Haxhinasto dhe njëherësh ministër i Transporteve në kohën që u zhvilluar tenderi dhe u shpall fituesi për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, ka dalë jashtë linjës së partisë së tij, e cila bën thirrje për bojkot të taksës dhe thotë se kjo ishte e vetmja mënyrë që rruga të mirëmbahej. Haxhinasto jep dhe shembuj të vendeve të tjera të rajonit të cilat kanë ‘pay toll’ për shumë akse kombëtare të tyre.

“Unë patjetër që i qëndroj atyre qëndrimeve që kam pasur. Janë qëndrime të drejta, nuk po bëjmë ndonjë gjë të veçantë, e kanë dhe vendet e tjera”.

Pavarësisht kësaj, Haxhinasto ka hequr disa përgjegjësi nga vetja për pagesën e vlerës 5 Euro për automjetet familjare që do të kalojnë aty. Ai u kujdes të thotë se si ministër në atë kohë ka kërkuar tarifën më të ulët në rajon.

“Një çështje që ishte lënë e papërfunduar nga qeveritë e mëparshme. Unë personalisht kam kërkuar që të ishte tarifa më e ulët për rajonin”.

Kompania koncesionare e Rrugës së Kombit ka filluar testimin e sistemit të pagesës në këtë rrugë, dhe brenda disa javëve automjetet që do të kalojnë aty duhet t’i duhet të paguajnë. Tenderi për dhënien me koncesion të rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën u shpall nga Haxhinasto, e ndërsa kontrata u firmos nga një tjetër ministër i LSI, Sokol Dervishaj.

Tv Klan