Simboli i estradës shqiptare do prehet në vendlindje

Aty ku lëshoi magjinë e tij të aktrimit për vite me radhë, në tempullin e artit, në Teatrin Migjeni, Paulin Prekës iu dha lamtumira e fundit.

Ashtu siç ishte edhe amaneti i tij, trupi i aktorit të qindra roleve të estradës së Shkodrës por edhe kinematografisë shqiptare, është përcjellë për në banesën e fundit në qytetin e tij të lindjes.

Homazhet e mbajtura bën bashkë me familjen, të afërmit dhe miqtë e Paulin Prekës, të cilët nuk e fshehën dot dhimbjen për humbjen e artistit të njohur.

“Shpirti më dhemb por….nuk ka dy jetë njeriu. Populli jonë thotë dy fjalë, je i pavdekshëm, kudo rrugës, edhe Paulini”.

“Po i japim lamtumirën e fundit…Paulin Prekës, të cilin e kemi dasht shumë e ka dash populli në radhë të parë. ai ka lënë shpirtin, është krijuesi, ka hap siparin e estradës në Shkodër”

“Paulini kishte lind me qenë artist i madh, jo vetëm aktor i komedisë por edhe në teatrin e dramës, dhe në filmat shqiptar. Është një humbje e madhe. Paulini ka qenë një mik i mirë, oh sa fjalë kam me thënë për të”.

Simboli i Estradës së Shkodrës në komedi, parodi, skeçe, dialogë, monologë, ndërroi jetë këtë të shtunë, në moshën 86 vjeçare në Itali ku jetonte prej vitesh me familjen.

“Daja i burrit”, “Dhëndri nga Amerika”, “Fotografisti”, “Toka jonë”, “Kunati i shokut Xhemal”, “Trualli i zënë” janë vetëm disa prej pjesëve më të njohura.

Në 40 vite karrierë, Paulin Preka u vlerësua me titullin “Artist i merituar”, por padyshim duartrokitjet për të do të vazhdojnë po aq gjatë rolet e batutat e tij të papërsëritshme.

Tv Klan