Dy të rinj janë shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës. Seadet Myftia dhe Zabit Mehmedaj, të dy nga 27 vjeç, akuzohen se janë autorët e shpërthimit me eksploziv mëngjesin e të enjtes në një garazh në Shkodër.

Policia njoftoi se pas ngjarjes në lagjen “10 Korriku”, dy të rinjtë janë larguar me një motor të vjedhur në Shkodër. Sipas policisë, Myftia dhe Mehmedaj janë të shpallur në kërkim edhe më parë për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

“Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në aksin rrugor përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes,  si dhe identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të saj. Gjithashtu, nga këto veprime dyshohet se 2 autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes, me një motomjet të vjedhur në qytetin e Shkodrës, pak para ngjarjes. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit S. M, 27 vjeç dhe Z. M., 27 vjeç, të shpallur në kërkim edhe më parë, për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës. Vijon puna intensive për kapjen e tyre”, njoftoi policia.

Të enjten në mëngjes një sasi eksplozivi shpërtheu në garazhin e automjeteve e një 52-vjeçari. Si pasojë pati vetëm dëme materiale./tvklan.al