Kryeministri Meta ka zbritur sot në Kukës për të takuar përfaqësues të banorëve të fshatrave të mbytura nga liqeni i Fierzës. Ne tha kryeministri do të zgjidhim ato kërkesa që janë të zgjidhshme dhe do të themi jo për ato që janë të papranueshme. Meta ka nënvizuar se takimi nuk zhvillohet për të dhënë premtime boshe apo premtime të momentit sa për të kapërcyer situatën.

Kryeministri u ka bërë dy propozime konkrete banorëve tokave të të cilëve janë përmbytur. Sipas tij do të mbështeten ato që do të dëshirojnë të shpërngulen në toka të tjera nëpërmjet dhënies së kredive dhe ndërtimit të infrastrukturës së nevojshme në ato zona ku do të shkojnë. Gjithashtu për banorët që nuk duan të shpërngulen do të jepet një paketë aksionesh nga Hidrocentrali i Fierzës. Por kjo e fundit është një zgjidhje afatgjatë pasi procesi i privatizimit të hidrocentraleve sapo ka filluar.

Banorët e këtyre zonave i thanë kryeministrit se nuk kërkojnë asgjë të pamundur jashtë ligjeve të shtetit. Ata kërkuan shpronësim me anë të pagesave nga shteti me anë të dhënies të së drejtës së shpronësisë ose me anë të marrjes së qerasë së tokës. Kryeministri ka deklaruar se do të urdhërojë vartësit e tij të njohin më mirë gjendjen dhe të ndërhyjnë sa më shpejt të jetë e mundur./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego