Zaharia: Nëse pacienti nuk trajtohet, mund të pësojë dëmtime të parikuperueshme

Virozat e stinës janë shkaktare edhe për infeksionet e ndryshme në rrugët e frymëmarrjes, por veçanërisht të veshëve. Mjekja ORL, Klodiana Zaharia shprehet se mesatarisht në ditë paraqiten 2-3 pacientë kryesisht me rrjedhje të veshit.

“Shumica e këtyre rasteve kanë një shkaktar viral. Në rastet kur nuk kufizohet, kemi rastin e infeksioneve të veshit ose sinuseve”, tha mjekja.

Specialistja tregon disa nga shenjat e para të cilat nuk duhet të neglizhohen.

“Kemi shtim të rasteve me virozë të sistemit të sipërm respirator që sigurisht fillon me hundët e bllokuara, dhimbje muskujsh, temperaturë e lartë apo dobësi trupore”.

Në rastet kur infeksionet e veshëve nuk trajtohen në kohë, mjekja thekson se situata mund të agravojë.

“Rastet më të agravuara janë kur nuk kërkohet ndihmë, dhe infeksioni I veshit kalon në fazën që përveç se akumulon qelb në vesh, shpohet daullja e veshit, dhe fëmija ka rrjedhje të qelbit në jastëkë, në qafë ose në rroba. Raste të tilla kemi pothuajse përditë”.

Mjekët ORL theksojnë se në rastet kur infeksione të tilla zgjasin mbi 4 ditë duhet me patjetër vizita me specialistin për trajtimin e problemit.

Klan News