Dy tenistë rezultojnë pozitivë me COVID-19, zëvendësohen me një dyshe tjetër

Organizatorët e Grand Slam Roland Garros kanë bërë me dije se dy tenistë rezultuan pozitiv me COVID-19. Bëhet fjalë për dy tenistë që luajnë në lojën dyshe dhe që ende nuk kanë zbritur në fushë për të debutuar në këtë turne. Emrat e tyre nuk bëhen me dije, por të dy janë hequr nga turneu dhe janë zëvendësuar me një dyshe tjetër tenistësh. Ndërkohë, që sipas rregullave anti-covid të turneut, ata kanë hyrë në karantinë. Që nga fillimi i fazës kualifikues të turneut, më 24 Maj, janë kryer 2446 teste anti-covid dhe këto janë dy rastet e para me koronavirus. Të gjithë tenistët kanë liridalje vetëm 1 orë në ditë gjatë kohës që janë të grumbulluar në Paris.

Ndërkohë, tenistja australiane Ashleigh Barty, numri 1 në botë për femra, është tërhequr nga Grand Slam i Roland Garros, në raundin e dytë. Ajo ka lënë në mes ndeshjen ndaj polakes Magda Linette në setin e dytë barazim 2-2, ndërkohë që pati humbur të parin 6-1. Një dëmtim në bel ka detyruar Barty të ngrejë “flamurin e bardhë” dhe të tërhiqet e dëmtuar. Pas përfundimit të setit të parë, ajo kërkoi ndihmën e stafit mjekësor për një masazh dhe vijoi përkohësisht sfidën, për t’u tërhequr disa minuta më vonë.

Te femrat, Serena Williams mundi 2-1 rumunen Buzarnescu, një fitore e merituar e tenistes amerikane. Nuk zhgënjen as bjellorusja Victoria Azarenka, që mundi 2-0 Clara Tauson.

Klan News