“Mungesa e shufrave të hekurit shtoi dëmet”

Lëkundjet e fuqishme të tërmeteve në Shqipëri janë bërë objekt diskutimesh në mediat italiane. I ftuar në emisionin e famshëm të RAI-t “La vita in diretta” inxhinieri italian Valerio Rossi Albertini shpjegon se mungesa e përforcimit me shufra hekuri të kolonave të betonit është arsyeja kryesore e shembjes së ndërtesave nga tërmeti i fuqishëm i 26 Nëntorit, i magnitudës 6.4 të shkallës Rihter.

“Po të sjell një shembull të thjeshtë për të shpjeguar dallimin mes betonit dhe beton armesë. Imagjinojmë sikur betoni është bërë sipas këtij sistemi blloqesh ndërtimi. Ato i rezistojnë mjaft mirë presionit nga lartë poshtë. Por kur tentoj ta përthyej, ajo copëtohet. Por kur brenda strukturave vendosim shufra të hekurit nuk ka më rrezik thyerje as nga forcat e tërthorta”.

Rossi shpjegon se si Shqipëria, ashtu edhe Italia, Greqia dhe vende të tjera përgjatë Adriatikut rrezikohen nga tërmetet në një zonë aktive sizmike siç është Mesdheu. Sipas tij, çdo tërmet i fuqishëm shoqërohet me paslëkundje, por është thuajse e pamundur të parashikosh se kur do të ndodhin tërmetet.

Tv Klan