Pentagoni: Forcat lokale janë lënë vetëm

Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tërheqjen e trupave ushtarake nga Siria, Pentagoni publikoi të martën një raport, ku e vë theksin te riorganizimi i ISIS në Irak dhe Siri.

Pavarësisht se ka humbur kontrollin e territorit ISIS ka forcuar organizimin e tij në Irak dhe ka rinisur aktivitetin në Siri, thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.

Sipas Pentagonit, të lëna pa mbështetje, forcat lokale e kanë të pamundur të zhvillojnë operacione ushtarake apo të ruajnë territorin për një kohë të gjatë ndihmon në ringritjen e organizatës terroriste. Strategjia e ISIS është ajo e krijimit të kaosit pikërisht në territoret që ka humbur, për të krijuar pasiguri, për të penguar forcat lokale të ruajnë rendit publik.

Në fund të vitit 2018 presidenti amerikan Donald Trump njoftoi mposhtjen totale të ISIS dhe tërheqjen e trupave amerikane në Siri, për të cilat tha se e kishin përmbushur misionin e tyre.

Pas vendimit të Trump, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James Mattis dha dorëheqjen, një vendim që u komentua si mosdakordësi me presidentin për largimin e trupave nga Siria.

Tv Klan