Këshilli i Lartë i Drejtësisë përzgjedh 8 anëtarët e rinj të kolegjit zgjedhor. Shorti u hodh në ambientet e KLD-së në prezencë të anëtarëve të 4 forcave politike kryesore në vend. Në garë ishin 53 kandidatë, 3 prej tyre të përzgjedhur fillimisht nga shorti Bashkim Dedja, Stavri Kallço dhe Zegjine Sollaku u kontestuan nga forcat politike, emrat e kontestuar u zëvendësuan me 3 emra të tjerë të përzgjedhur sërish nga shorti.

Anëtarët e kolegjit zgjedhor do të merren dhe me shqyrtimin e ankesave të subjekteve politike pas zgjedhjeve të 28 qershorit, në këtë kontekst presidenti i republikës në rolin kryetarit të KLD-së u bëri apel anëtarëve të kolegjit për të ruajtur pavarësinë dhe integritetin, sidomos ditën e zgjedhjeve.

Bamir Topi: “Ky moment angazhon jo vetëm KLD-në, por të gjithë strukturat e drejtësisë të cilat do t’i shërbejnë këtij procesi duke demonstruar patjetër një neutralitet të dukshëm në prononcimet e veta, në daljet publike deri në ato momente kur konsideron si momente të ekzibicionit në momentin e zgjedhjeve, ditës zgjedhjeve, për të demonstruar që të gjithë anëtarët e KLD-së, të gjithë gjyqtarët kudo ku ato punojnë ta demonstrojnë që janë në një pozicion të pavarur nga politika dhe që nuk bëjnë politikë”.

Pritet që ditën e martë në ambientet e KLD-së 8 anëtarët e përzgjedhur të kolegjit zgjedhor të bëjnë betime përpara këtij këshilli, ndërkohë që në këtë mbledhje KLD pranojë dhe dorëheqjen e kryetarit të gjykatës së Tiranës Albert Meçe, duke e shpallur vakant postin që ai mbante./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani

Operator: Klodian Keçi