Kapedani: Jap dorëheqjen, jam “kokë turku” e krimit

Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të pezullojë nga detyra magjistraten e Elbasanit, Enkeleda Kapedani. Vendimi u mor pas nisjes së një procesi disiplinor ndaj saj me publikimin e disa videove të konsideruara të papërshtatshme për figurën e saj në rrjetet sociale. Masa e pezullimit do të qëndrojë në fuqi deri në përfundim të hetimit disiplinor.

Vetë gjyqtarja në mbrojtjen para KLGJ-së tha se jepte dorëheqjen nga detyra e zv.kryetares së Gjykatës. Ajo e konsideroi veten si “kokë turku” nga bota e krimit.

Kapedani pranoi se videot janë xhiruar prej saj, ndërsa tha se ka qenë e stresuar gjatë kohës që ka bërë filmimet. Gjatë mbrojtjes në KLGJ Kapedani ka kërkuar ndjesë publike, por thotë se publikimi i videove është bërë me qëllim për ta dëmtuar atë.

Në krahun tjetër Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani tha se gjyqtarja duhet të shkarkohej pasi me qëndrimin në detyrë diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit.

Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 Shtator 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu. Për të ministrja e ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka kërkuar kryerjen e një hetimi pasuror.

Tv Klan