Kosova sot shënon 22-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s . Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 Qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike që zgjati 78 ditë. Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.

Sulmet ajrore filluan më 24 Mars 1999 pas dështimit të bisedimeve në Rambuje të Francës, ku me ndërmjetësimin ndërkombëtar ishte zhvilluar konferenca paqësore atë kohë ndërmjet autoriteteve të atëhershme të Serbisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës. Ato u ndërmorën për të ndalë krimet dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave serbe nën komandën e Sllobodan Millosheviqit.

Në përkujtim të ushtarëve të rënë krerët e qeverisë së Kosovës nderuan ushtarët duke vendosur kurora me lule tek Pllaka Përkujtimore.

 “Jemi këtu për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të secilit ushtar të NATO-s, të cilët i qëndruan përkrahë Kosovës në momentet më të errëta të historisë së saj. Jemi po ashtu këtu për të nderuar vazhdimin e këtij kontributi i cili nuk është ndalur në vitin 1999, atëherë kur edhe forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke u shndërruar kështu në shpëtimtarët e popullit të Kosovës, por kontribut i cili ka vazhduar edhe më tej dhe vazhdon edhe sot për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe gjithë rajonin”, është shprehur presidentja Vjosa Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se liria ishte pasojë e kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve.

 “Me vete faktin që aleanca me e madhe ushtarake i doli në ndihmë popullit të Kosovës dhe u mobilizua struktura me e madhe ushtarake demokratike në botë dhe e bombardoi Serbinë për shkak të gjenocidit që ajo ushtroi mbi popullin e Kosovës, kjo flet se kauza jone ishte e drejtë, që liria jone ishte shumë e shenjtë, prandaj duhet ta mbrojmë e ta ruajme atë me çdo kusht”, është shprehur Kryetar i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca

Përveç, Konjufcës edhe presidentes Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, vendosi kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

 “Më 12 Qershor ne kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe këtë ia përkujtojmë vetes për çdo ditë sepse të gjitha ato gra e burra të cilët sakrifikuan dhe dhanë jetën ndodhen në themelet e pavarësisë tonë të cilën duhet ta shpijmë më tej me drejtësi dhe demokraci”, është shprehur kryeministri Albin Kurti.

Zëvendëskomandanti i KFOR-it, Gunter Schopf, tha se KFOR-it do të qëndrojë aq sa do të jetë e nevojshme për të ruajtur paqen për të gjitha grupet etnike në Kosovë.

Klan News