Opozita e konsideron antikushtetuese kufizimin e qarkullimit

Antikushtetuese po konsiderohen masat e fundit të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë, që qytetarët të mund të lëvizin vetëm 90 minuta në ditë në bazë të orarit të përcaktuar me numrin e parafundit të letërnjoftimit. Në seancën e Kuvendit të Kosovës u tha nga deputetët se ky vendim cënon të drejtat themelore të qytetarëve për lirinë e lëvizjes.

Derisa kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani sqaroi se çështja e ndërmarrjes së masave është diskutuar në mbledhje të kryesisë, në mënyrë që të miratohet një ligj i veçantë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por nga anëtarët e kryesisë është vlerësuar se një gjë e tillë nuk mund të bëhet derisa ka qeveri në detyrë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti  tha se nuk i përket atij të bëjë vlerësime kushtetuese për vendimet e Ministrisë se Shëndetësisë.

“Nuk më takon mua të bëj vlerësime kushtetuese të shkeljes së Ministrisë se Shëndetësisë. Ne nuk i kemi mbyllur restorantet e kafenetë për t’u bashkuar nëpër oda e banesa. Ata që janë të zhytur në korrupsion kërkojnë liri dhe të drejta. Janë disa situata ku më e rëndësishme është se kush po flet dhe çka po thotë”.

Megjithatë qytetarët thonë se do të respektojnë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Për masat e mbrëmshme ka reaguar edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës duke thënë se askush nuk ka diskutuar me kryetarët e komunave para se të merren vendimet.

Tv Klan