Arkiva Lajme – Tv Klan 2000

Këshilli i përkohshëm administrativ i Kosovës i drejtuar nga administratori i OKB-së Kushner në seancën e sotme ka formuar komisionin qëndror për zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë. Departamenti i rindërtimit dhe zhvillimit paraqiti sot një program të gjerë për rindërtimin e Kosovës, veçanërisht të shtëpive të djegura dhe të rrënuara.

Këshilli i përkohshëm administrative është shprehur që prioritet në rindërtim të kenë zonat më të shkatërruara gjatë luftës dhe zonat më të varfëra të Kosovës. Ndërsa për rimëkëmbjen e ekonomisë prioritet do të ketë miniera e Trebçes, për rigjallërimin e së cilës nevojiten 15 milion euro. Në takimin e sotëm morën pjesë të gjithë anëtarët e këshillit të përkohshëm administrative dhe dy vëzhgues që përfaqësonin minoritetin serb dhe shoqërinë civile.

Ndërkohë situta në Kosovën Lindore është acaruar sërisht. Sipas burimeve të këshillit për liri dhe të drejtat e njeriut në Bujanovc, dje në afërsi të fshatit Tërnovc u gjet i vrarë babai i tre fëmijëve. Kohët e fundit në këtë fshat është shtuar represioni serb për të zgjeruar spastrimin etnik. Ndërkohë në Mitrovicë KFOR-i ka ushtruar kontrolle në pjesën veriore të qytetit me shumicë serbe ku ka gjetur armatime dhe mjete luftarake./tvklan.al

Gazetare – Mirela Milori