Bardhi lë mbledhjen, Tabaku jep dorëheqjen nga nënkryetare
Duhet të ishte një mbledhje që mund të bënte bashkë demokratët në të dy krahët, por që degjeneroi në tension, dhunë verbale, sharje e kërcënime ajo e kryesisë së thirrur nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.
Mbështetësit e Lulzim Bashës dhe krerët e degëve jo pak herë janë futur në mbledhjen e kryesisë, duke ushtruar presion, madje edhe duke kërcënuar deputetët që mbështetën platformën e Gazmend Bardhit që shihte si emergjente bashkimin e demokratëve dhe nisjen e zgjedhjeve nga baza, duke mos e konsideuar emergjente zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
Dhuna verbale e kërcënimet brenda në mbledhje e detyruan Gazment Bardhin që së bashku me deputetin Dashnor Sula të largoheshin duke e lënë në mes drejtimin e kryesisë.
Ndërsa Jorida Tabaku e zhgënjyer nga kërcënimet dhe gjuha aspak etike e përbashkuese në mbledhje hoqi përfundimisht dorë nga pozicioni i nënkryetares së Partisë Demokratike. Dorëheqje që u pasua edhe nga ajo e Flamur Hoxhës.
Por saga e kërcënimeve nuk u mbyll me kaq. Krerët e degëve dhe mbështetës të Bashës s’i kursyen deputetët që refuzonin zgjedhjen e kryetarit të partisë pa u bërë më parë bashkimi i demokratëve në bazë.
Dhunën verbale, presionin dhe shantazhin kundër deputetëve, kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi e denoncoi publikisht.
“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD-së që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD”, tha ai.
I ashpër ishte në qëndrim edhe deputeti Dashnor Sula.
“Është e paimagjinueshme dhe e patolerueshme për një forcë politike me orientim perëndimor, presioni dhe dhuna verbale që iu ushtrua deputetëve në mbledhjen e kryesisë dhe gazetarëve të palodhur që ndoqën me profesionalizëm zhvillimet. Demokratët meritojnë të udhëhiqen nga njerëz që drejtohen nga vlerat dhe virtytet e jo nga grupime të ngjashme me ato paramilitare që kërkojnë pushtet për tu pasuruar.”
Por për Lulzim Bashën, shantazhi dhe presioni ndaj deputetëve, siç denoncuan vetë të pranishmit, tregon frymë konstruktive dhe shenjë reflektimi.
Në mbledhjen që zgjati afro 10 orë, kryesia vendosi që në 29 Korrik të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike. Vendimi u mor me 17 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 abstenime.

Jorida Tabaku jep dorëheqjen si nënkryetare e PD-së
Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike ku u vendos mbajtja e zgjedhjeve për kryetarin e ri më 29 Korrik, Jorida Tabaku, ka dhënë një deklaratë për mediat. Gjatë fjalës së saj, Tabaku ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i saj si nënkryetare e PD-së.
Tabaku thotë se ka refuzuar të votojë për një vendim, për të cilin shprehet se e dëmton PD-në për mënyrën dhe në kushtet që është ndërmarrë.
Jorida Tabaku: Kryesia e PD mbas një mbedhje 8 orë të gjatë vendosi për të vazhduar përpara me procesin e zgjedhjeve në parti. Kërkesa ime dhe dëshira ka qenë e vetme dhe e thjeshtë, mos nxitohemi dhe t’i japim demokratëve një proces të drejtë, real dhe që na nderon. Të gjithë ishim dakord për faktin që PD duhet të riorganizohet por nuk gjetëm gjuhën e përbashkët për mënyrën se si duhet të riorganizohemi. I kërkova kryesisë të mos marrim vendim të nxituar, çdo vendim i njëanshëm thjesht do të zvogëlojë edhe më shumë partinë tonë dhe nuk do ta zmadhojë atë. Në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërsim të njëjtat gabime!
Pyetja që sot duhet t’i bëjmë vetes është nëse duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njënashme, duhet të përfshijmë këdo. Me vlerësimet maksimale për deputetët dhe kontributin e tyre, kolegjit të kryetarëve dhe kontributin e tyre dhe të gjithë ato që kanë qëndruar. I premtova anëtarëve të kryesisë që do të qëndroj deri në fund, derisa mund të gjejmë një zgjidhje që i përfshin të gjithë në process. Të mos nxitohemi!
Pas vendimit të kryesisë për të vazhduar procesin zgjedhor, kërkova që të gjejmë një dakordësi për mënyrën si. Në gjykimin tim veprimet e tilla të njëanshme si në të shkuarën kanë ndikuar në zvogëlimin e PD dhe kanë sjellë në një situatë si kjo e sotmja. Prandaj refuzova të votoj për një vendim që në mendimin tim na dëmton sot për mënyrën se si po merret dhe në kushtet në të cilat po merret! Duke pasur parasysh gjithë situatën, vendosa që të tërhiqem edhe nga pozicioni i nënkryetares së PD!
Sjellim në vëmendje se vendimi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së me 29 Korrik, u miratua me 17 vota pro, 2 vota kundër dhe 3 abstenime. Sipas vendimit, kandidatët që duan të hynë në garë për drejtimin e partisë, paraqesin kërkesën për kandidim brenda datës 20 Qershor 2023.
Incidentet nga mbështetësit e Bashës, Gazment Bardhi: Sjellje prej grupimi paramilitar
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka dënuar incidentet e shkaktuara nga mbështetësit e Lulzim Bashës në mbledhjen e Kryesisë së PD që u mbajt në mbrëmjen e së martës dhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Bardhi, në reagimin zyrtar, thotë se dhuna verbale dhe presionet ndaj deputetëve të PD-së nuk janë mjete politike dhe kushdo duhet të distancohet nga këto akte.
“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Gazment Bardhit.
Në mbledhje u vendos që zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së të mbahen më 29 Korrik.
Në mbledhje u shënuan dhe incidente pasi në ambientet ku zhvillohej mbledhja erdhën disa nga mbështetësit e Lulzim Bashës. Ata kanë fyer anëtarët e kryesisë dhe deputetët të cilët nuk ishin dakord që zgjdhjet për kryetarin e ri të zhvilloheshin në muajin Korrik.
Tensionet në mbledhjen e Kryesisë/ Bejko: Thikë pas shpine për PD, partia ka nevojë për mbështetje e jo shkelma
Mbledhja e Kryesisë së PD-së mbrëmjen e djeshme është shoqëruar me debate dhe incidente pasi në ambientet ku zhvillohej mbledhja erdhën disa nga mbështetësit e Lulzim Bashës.
Në mes të mbledhjes, disa prej anëtarëve të Kryesisë, kanë vendsosur që ta braktisin atë pasi nuk kanë rënë dakord për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së më 29 Korrik.
Në një deklaratë për mediat, ish-kandidati i PD-së për Tiranën, Roland Bejko, është shprehur se largimi në mes të mbledhjes i disa prej anëtarve, është thikë pas shpine për demokratët. Bejko ka shtuar se në këto momente, PD-së i duhet mbështetje dhe jo shkelma.
Roland Bejko: Nuk e di si do të vazhdojë më tej. Di të them që për 8 orë u diskutua nga të gjithë anëtarët e Kryesisë dhe besojmë se gjithkush dha versionin e tij për mënyrën sesi e ka parë PD që 1 vit më parë ku është larguar Basha dhe në momentin kur ka ardhur për t’u diskutuar se cilin nga modalitetet, pranoj në Kryesi, pasi u dhanë disa propozime. Unë i propozova të dy propozimet, si atë të grupit parlamentar, ashtu edhe atë të Kolegjit të Kryetarëve dhe propozimet që vinin nga anëtarët e Kryesisë, i përputha në një. Nuk u ra dakord për faktin që muaji Gusht është muaji ku nuk bëhen dot zgjedhjet në parti, si në nivelin vendor, ashtu edhe për kryetarin dhe në këtë moment, kur u kërkua të bëhej votimi, në mënyrë të pakuptimë, u pa që u largua sekretari i përgjithshëm, nuk e mora vesh sesi u largua. U largan dhe disa nga deputetët dhe tek e fundit, u kalua në votim.
Nuk kishte zgjidhje tjetër, por të vish në mënyrë të tillë që të imponosh që në rast se propozimi im nuk miratohet, unë largohem, natyrisht që kjo nuk është mirë për PD dhe nuk është as demokratike. Veprimi që u bë ishte i tillë, nëse nuk merrem parasysh “çohem dhe largohem”. Braktisja e mbledhjeve nga ana e deputetëve dhe ndonjë anëtari tjetër të Kryesisë ishte i tillë. Tek pika 5 e propozimit që ka bërë grupi parlamentar i PD-së thuhej që në rast se nuk do të ketë një zgjidhje konsensuale, në atë moment, ne do ta shikojmë veten jashtë procesit. Ndërkohë Kolegji i Kryetarëve dhe grupi i deputetëve janë institucion që rekomandojnë, por nuk janë ato që vendosin.
Ato që vendosin janë të Kryesisë. Ama, të vij unë në Kryesi dhe të shikoj që varianti im nuk miratohet dhe të bëj të qefmbeturin, të çohem dhe të iki. Kjo është thikë pas shpine për PD. Veprimet, të tilla. që i kanë bërë gjithsecili mban përgjegjësi dhe në raport me demokratët sot dhe nesër. Ky është një moment kur PD ka nevojë për mbështetje, jo për shkelma dhe jo shkelje të disiplinës së partisë.
Incidentet e shkaktuara nga mbështetësit e Bashës/ Ori Nebiaj dhe Flamur Hoxha largohen nga Kryesia e PD
Deputetët e PD-së Ori Nebiaj dhe Flamur Hoxha janë larguar si anëtarë të Kryesisë së PD-së pas incidenteve që ndodhën në mbledhjen e Kryesisë.
Kanë qenë mbështetës të Lulzim Bashës ata të cilët ushtruan presione dhe dhunë verbale ndaj deputetëve të PD-së dhe anëtarëve të Kryesisë.
Edhe kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi dënoi dhunën verbale të ushtruar ndaj deputetëve të PD nga mbështetësit e Bashës.
Incidentet nga mbështetësit e Bashës/ Kolegji i Kryetarëve të PD: Dënojmë çdo akt dhune
Kolegji i Kryetarëve të Partisë Demokratike ka dënuar dhunën verbale dhe incidentet e shkaktuara nga mbështetësit e Lulzim Bashës në mbledhjen e Kryesisë së PD.
Në një njoftim për mediat, Kolegji i Kryetarëve të PD njofton se dënon çdo akt dhune duke bërë thirrje për të respektuar zgjidhjet dhe vendimet institucionale.
“Partia Demokratike e Shqipërisë është ngritur dhe ekziston mbi sakrificën e qindra mijëra demokratëve të cilët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike. Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë vullnet, çdo tentativë për ta përbaltur mundin, sakrificën dhe shqetësimin e atyre demokratëve të ndershëm që kanë punuar pa u lodhur për çdo votë dhe çdo mandat të deputetëve të Partisë Demokratike, i shërben vetëm kundërshtarëve tanë politikë, i shërben atyre që duan shkatërrimin dhe asimilimin e Partisë Demokratike. Mendimet ndryshe, alternativat për zgjidhjen më të mirë për të ardhmen e Partisë Demokratike, zgjidhen me të vetmin mjet demokratik që garanton standartin e çdo procesi dhe kjo është VOTA. Përpjekjet për t’ju imponuar anëtarëve të Partisë Demokratike me mekanizma përtej votës, janë përpjekje të dështuara dhe nuk janë garanci për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe bashkërendimin e aksionit tonë politik”, thuhet në reagimin e Kolegjit të Kryetarëve të PD.
Mbështetësit e tij shkaktuan incidente, reagon Basha: Debati konstruktiv për 8 orë në PD, shenjë e reflektimit të thellë
Pasi mbështetësit e tij shkaktuan incedente në mbledhjen e Kryesisë së PD duke dhunuar verbalisht deputetët, Lulzim Basha ka reaguar në rrjetet sociale, ku shkruan se mendimi ndryshe brenda partisë është shenjë e një reflektimi të thellë.
Sipas Bashës, në mbledhje, për më shumë se 8 orë ka patur debat konstruktiv për riorganizimin e PD.
“Fryma e debatit konstruktiv me të cilën Kryesia e PD debatoi për më shumë se 8 orë për gjetjen e rrugës më të mirë në funksion të riorganizimit të PD, është shenjë e qartë e një reflektimi të thellë që ka nisur brenda familjes tonë politike. Nuk ka gjë më demokratike se mendimet e ndryshme në një forum politik. Debatet dhe mendimi ndryshe duhen respektuar nga të gjjthë. Vlerat demokratike që na drejtojnë në këtë rrugëtim të vështirë për ne demokratët nuk mund të cënohen nga asnjë individ”.
Por edhe pse ishin mbështetësit e tij ata që shkaktuan tensione në mbledhjen e Kryesisë dhe shantazhuan deputetët, Lulzim Basha thotë se dënon çdo përpjekje që ngjall tensione.
“Refuzoj dhe dënoj me forcë çdo përpjekje për tensionim që ushqen kulturën e vjetër politike të baltës dhe shantazhit me të cilën jemi ndarë njëherë e mirë dhe që duhet lënë pas”, shkruan Basha.
Më herët, për shkak të tensioneve që shkaktuan mbështetësit e Lulzim Bashës, Jorida Tabaku dha dorëheqjen si nënkryetare partie, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi dënoi incidentet e shkaktuara dhe dhunën verbale të ushtruar ndaj deputetëve të PD-së dhe anëtarëve të Kryesisë.
/tvklan.al












Botërori 2026 