Nën moton “Sot në NATO nesër në BE”, republikanët kanë prezantuar kandidatët për deputet që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në qarkun e Tiranës. Sipas kryetarit të kësaj partie, Fatmir Mediu, prioritet e PR-së do të fokusohen tek prona, familja dhe kombi.

Fatmir Mediu: “PR në mënyrë të veçantë përveç amendamenteve që ka paraqitur më parë për çështjen e pronës private do të kërkojë anulimin e veprimit të ligjit për fermat bujqësore për të kompensuar pronarët përcaktimin qartësisht të fondit për kompensim fizik dhe njëkohësisht kthimin pa hezitim të të gjithë pronave pronarëve të ligjshëm.”

Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek vëmendja që PR, si pjesë e koalicionit “Aleanca për ndryshim” do ti kushtojë reformës në shëndetësi, Mediu tha, se republikanët mbeten të vendosur për një sistem shëndetësor eficent. Sipas tij politika kombëtare dhe rroli që ka luajtur kjo parti në rrugën e përbashkët drejt integrimit në NATO demonstrojnë suksesin e të djathtës që brenda mandatit të dytë synon liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit në familjen europiane.

Fatmir Mediu: “Fundi i mandatit Shqipërinë ta gjejë pranë derës së BE-së me mundësi të plota për të qenë vend me të drejta të plota të BE-së, realizimin e liberalizimit të vizave brenda vitit të ardhshëm.”

Ndërsa për ministren e shëndetësisë Anila Godo, përzgjedhja e kandidatëve në qarkun e Tiranës është bazuar në integritetin e tyre moral e profesional. Sipas saj pjesë e këtyre listave janë jo vetëm ish-pronarë, por dhe ish të përndjekur politik si dhe përfaqësues që vijnë nga radhët e shoqërisë civile dhe strukturave drejtuese të partisë.

Anila Godo: “Këta kandidatë duhet vërtetë të bëjnë pjesë në parlamentin tonë për ti dhënë jetës politike atë profilin e bukur të partisë Republikane, profilin e një partie të djathtë me cilësi të një morali të lartë të familjes, të kombit dhe të zhvillimit ekonomik të vendit.”

Në qarkun e Tiranës listat e  kandidatëve të PR-së kryesohet nga deputeti aktual në parlament Besnik Bisha. Sipas Mediut kjo parti synon që në qarkun e Tiranës të nxjerrë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dy deputetë./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro