Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar nga Vlora se fitorja e socialistëve do të jetë e jashtëzakonshme në zgjedhjet parlamentare 2009.

Në një takim me banorë të këtij qyteti Rama tha se fitorja e Partisë Socialiste do të shërbejë për të nisur një luftë kundër varfërisë, papunësisë e injorancës.

Edi Rama: “Fitorja jonë e vitit të ardhshëm do të jetë një fitore e jashtëzakonshme, jo thjesht për faktin se ne do të mundim Sali Berishën, po për faktin se me fitoren e vitit 2009 ne do të fillojmë luftën me varfërinë, do të fillojmë luftën me papunësinë, do të fillojmë luftën me injorancën, me dhunën, me korrupsionin”.

Duke folur për zhvillimin e vendit dhe përparimin e sektorëve jetik Rama tha se dialogu i tij me shqiptarët synon një Shqipëri të zhvilluar me shkolla e spitale për një mirëqenie dhe kthim të dinjitetit të shqiptarëve.

Edi Rama: “Dhe Shqipërinë zonjë mund ta bëjmë të bashkuar, socialistë e demokratë, që refuzojnë të jenë skllevër të politikës së vjetër, të së shkuarës, skllevër të injorancës, të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së Sali Berishës dhe të kastës që është sot në pushtet, skllevër të logjikës së partive, të cilat i mbajnë njerëzit larg për ta mbajtur Shqipërinë peng”.

Rama ka siguruar vlonjatët dhe nga Vlora të gjithë shqiptarët se socialistët do t’i mbajnë premtimet që bëjnë pasi gjithçka ata premtojnë mund të bëhet./tvklan.al